Kanë kaluar më shumë se 28 vjet, por Kim Milton Nielsen ende njihet në rrugë për një moment të vetëm: kartonin e kuq që ia tregoi David Beckhamit në ndeshjen legjendare Angli–Argjentinë në Kupën e Botës 1998.
Ish-gjyqtari danez ka rikthyer në kujtesë prapaskenat e një prej vendimeve më të famshme në historinë e Botërorëve, duke treguar se edhe ai kishte përjetuar një moment dyshimi para se ta përjashtonte yllin anglez. Rrëfimi i Nielsen është publikuar sot nga The Guardian, si pjesë e një libri të ri mbi jetën dhe presionin e gjyqtarëve të futbollit.
Ndeshja zhvillohej më 30 qershor 1998 në Saint-Étienne. Anglia dhe Argjentina po luanin në 1/8 e finales dhe pjesa e parë kishte përfunduar 2:2, pas 45 minutave spektakolare ku Nielsen kishte akorduar edhe dy penallti.
Por momenti që do ta përcaktonte ndeshjen dhe, në njëfarë mënyre, edhe karrierën e tij, erdhi menjëherë pas fillimit të pjesës së dytë.
Diego Simeone ndërhyri ndaj Beckhamit. Teksa mes tyre vazhdoi përplasja, mesfushori anglez, i shtrirë në tokë, reagoi duke e goditur Simeonen me këmbë. Argjentinasi u rrëzua, ndërsa Nielsen nxori kartonin e kuq.
Nielsen tregon se në ato sekonda i kishte kaluar nëpër mend edhe fakti se bëhej fjalë për David Beckhamin, një prej futbollistëve më të njohur në botë, në një ndeshje të Kupës së Botës që po ndiqej nga miliona njerëz.
Por ai vendosi se emri i lojtarit nuk mund ta ndryshonte vendimin.
“Nëse do ta ndryshoja mendjen nga frika e titujve të gazetave, do ta shkatërroja veten si gjyqtar”, është mesazhi që Nielsen jep kur kujton atë natë.
Për Nielsenin, ky nuk ishte rasti i parë kur i duhej të merrte një vendim të madh kundër një ylli. Ai kujton një ndeshje të vitit 1991 në Camp Nou, kur kishte përjashtuar Guillermo Amor të Barcelonës para rreth 82 mijë tifozëve. Pikërisht ajo përvojë, sipas tij, e kishte mësuar se rregullat duhet të vlejnë njësoj, pavarësisht emrit të klubit apo futbollistit.
Simeone më vonë e kishte pranuar se e kishte ekzagjeruar reagimin pas goditjes së Beckhamit, duke thënë se rrëzimi i tij kishte ndikuar që situata të përfundonte me karton të kuq e jo të verdhë.
Anglia vazhdoi pjesën tjetër të ndeshjes me dhjetë lojtarë. Rezultati mbeti 2:2 edhe pas vazhdimeve, ndërsa Argjentina kaloi tutje pas ekzekutimit të penalltive.
Për Beckhamin pasoi një periudhë jashtëzakonisht e vështirë. Një pjesë e madhe e mediave dhe tifozëve anglezë e konsideruan atë përgjegjës për eliminimin, ndërsa reagimet ndaj tij shkuan deri në kërcënime dhe djegie të figurave me imazhin e tij. Beckham më vonë do të thoshte se pikërisht ajo përvojë e kishte detyruar të piqej shumë shpejt.
Ndërkohë Nielsen vazhdoi një karrierë të madhe ndërkombëtare dhe u bë gjyqtari i parë që arriti në 50 paraqitje në Champions League.
Megjithatë, asnjë prej atyre ndeshjeve nuk e ka ndjekur si ajo e vitit 1998.
Edhe sot, Nielsen thotë se njerëzit që nuk kishin lindur ende kur u zhvillua ajo ndeshje i afrohen dhe e njohin menjëherë:
Gjyqtari që e përjashtoi David Beckhamin.









