Vazhdon të ketë shumë raportime për ndeshjen mes Izraelit dhe Irlandës, të zhvilluar të dielën mbrëma në Debrecen të Hungarisë. Izraeli ishte vendas, kurse pësoi 3:0. Ndeshja i takoi Ligës së Kombeve të UEFA-s. Në grup me Izraelin dhe Irlandën janë edhe Kosova dhe Austria. Kosova e luan pikërisht ndaj Izraelit në Debrecen ndeshjen e radhës, të enjten nga ora 20:45.
Lojtarët e Irlandës ishin në presion të madh para ndeshjes me Izraelin. Atyre u është kërkuar të bojkotojnë dy ndeshjet me Izraelin, në shenjë përkrahje për popullin palestinez. Por irlandezët vendosën të luajnë, ndërsa protestuan në forma të ndryshme.
Nuk ua kanë dhënë dorën lojtarëve të Izraelit, kanë qëndruar me kokën ulur gjatë intonimit të himnit të Izraelit dhe kanë mbajtur shirita të zi në krah.
“The Sun” ka paraqitur një debat të lojtarëve pas fundit të ndeshjes, duke u thirrur në atë që raportuan gazetarët. Bëhet fjalë për debatin mes Jake O’Brien të Irlandës dhe Manor Solomon të Izraelit. Solomon luan për West Hamin në Angli.
Sipas asaj që shkruan “The Sun”, O’Brien i është drejtuar lojtarit të Izraelit: “Turp të kesh për atë që po bëni në Gaza. E meritoni të humbni”.
Solomon është përgjigjur: “Dil këtu, bëhu burrë. Mos fol pas murit. Është mëkat që ndeshja nuk u luajt në Izrael, do të kuptoje se si është vendi më i mirë në botë”.
Ish-lojtar i Fulhamit dhe Tottenhamit, Solomon, tha se nëse do të shprehte hapur ndjenjat e vërteta për Irlandën dhe ekipin e saj, do të pezullohej.
“Ata thanë gjëra pa kuptim gjatë ndeshjes. Nuk dua t’i komentoj ato. Nëse them atë që mendoj për ta, ndoshta do të pezullohem për disa ndeshje. Kështu që nuk dua ta them. Sigurisht që ata na urrejnë dhe ne nuk i pëlqejmë ata. Mezi e pres ndeshjen e radhës kundër tyre. Do të jetë krejtësisht ndryshe”, ka thënë Solomon.
27-vjeçari Solomon foli edhe për lojtarët e Irlandës që mbajtën kokën ulur gjatë himnit të Izraelit.
“Ajo që bënë gjatë himnit? Nuk më interesojnë ata. Ne kemi një vend që është dhjetë herë më i mirë se i tyre, më i fortë. Një vend i mrekullueshëm me njerëz të mrekullueshëm. Dhe jemi krenarë që veshim fanellën e Kombëtares dhe jemi izraelitë. Jemi krenarë për vendin dhe ushtarët tanë. Ata mund të bëjnë gjithçka. Ne jemi izraelitë dhe e duam vendin tonë. Fitorja është ajo që do të ndodhë”.
Ndeshja mes Irlandës dhe Izraelit luhet të dielën e ardhshme në Baçka Topola të Serbisë. UEFA u ka dhënë disa opsione irlandezëve për organizimin e ndeshjes me Izraelin në terren neutral. Por të gjitha ishin në Serbi.
Lojtarët e Irlandës kanë vendosur mos të deklarohen për ndeshjet me Izraelin.









