Spanja dhe Belgjika do të matin forcat sonte në çerekfinalen e Kupës së Botës 2026, në një duel që pritet të jetë ndër më spektakolarët e turneut.
Takimi do të zhvillohet në „SoFi Stadium“ në Inglewood të Kalifornisë, me fillim nga ora 21:00, ndërsa drejtësinë do ta ndajë arbitri anglez Michael Oliver.
Të dyja kombëtaret kanë arritur në këtë fazë falë paraqitjeve bindëse. Spanja siguroi kualifikimin pasi mposhti Portugalinë me rezultat minimal 1:0. Më herët, "La Roja" triumfoi ndaj Austrisë 3:0, Uruguait 1:0 dhe Arabisë Saudite 4:0, ndërsa barazoi pa gola me Kepin e Gjelbër.
Në anën tjetër, Belgjika ka qenë një nga skuadrat më efikase në aspektin ofensiv gjatë këtij Botërori. "Djajtë e Kuq" eliminuan Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rezultat 4:1, ndërsa në fazën e 16 më të mirëve kaluan Senegalin pas vazhdimeve me rezultat 3:2. Në fazën e grupeve, Belgjika regjistroi fitore bindëse 5:1 ndaj Zelandës së Re, ndërsa barazoi me Iranin 0:0 dhe Egjiptin 1:1.
Historia favorizon Spanjën
Statistikat e përballjeve direkte flasin në favor të Spanjës. Në pesë takimet e fundit mes dy kombëtareve, spanjollët kanë regjistruar pesë fitore duke mbetur të pamposhtur.
Rezultatet e pesë ndeshjeve të fundit mes Spanjës dhe Belgjikës:
2016 (Miqësore): Belgjikë – Spanjë 0:2
2009 (Kualifikimet për Kupën e Botës): Spanjë – Belgjikë 5:0
2008 (Kualifikimet për Kupën e Botës): Belgjikë – Spanjë 1:2
2005 (Kualifikimet për Kupën e Botës): Belgjikë – Spanjë 0:2
2004 (Kualifikimet për Kupën e Botës): Spanjë – Belgjikë 2:0
Megjithatë, historia pritet të ketë pak ndikim në sfidën e sontme, pasi të dyja ekipet kanë treguar formë të lartë dhe disponojnë cilësi të mjaftueshme për të trasuar rrugën drejt Kupës së Botës 2026.
Spanja do të mbështetet te organizimi i lojës, kontrolli i mesfushës dhe mbrojtja solide, ndërsa Belgjika synon të shfrytëzojë potencialin e saj ofensiv dhe efikasitetin para portës.






