Ballkani rikthehet sonte në arenën evropiane, ku do të përballet me Bohemian FC në ndeshjen e parë të rundit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës.
Takimi zhvillohet në stadiumin “Dalymount Park” në Dublin, me fillim nga ora 19:00 sipas kohës sonë. Ndeshja e kthimit është planifikuar të luhet më 30 korrik në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Skuadra irlandeze e siguroi kalimin në këtë fazë pasi eliminoi St Joseph’s të Gjibraltarit. Bohemians fitoi ndeshjen e parë me rezultat 2:0, ndërsa në takimin e kthimit luajti pa gola, duke kaluar tutje me rezultat të përgjithshëm 2:0.
Ballkani udhëton drejt Irlandës me synimin që të marrë një rezultat pozitiv dhe ta vendosë veten në pozitë të favorshme përpara ndeshjes së kthimit në Prishtinë. Përvoja e skuadrës nga Suhareka në garat evropiane pritet të jetë një armë e rëndësishme përballë vendasve, të cilët do ta kenë edhe përkrahjen e tifozëve të tyre.
Ndeshja pritet të jetë e kujdesshme, pasi të dyja skuadrat do të kërkojnë ta shmangin një rezultat negativ në përballjen e parë. Bohemians synon ta shfrytëzojë terrenin vendas, ndërsa Ballkani do të tentojë të jetë i organizuar në mbrojtje dhe i rrezikshëm në kundërsulme.
Fituesi i kësaj përballjeje në rundin e tretë kualifikues do të takohet me fituesin e duelit ndërmjet Beşiktaşit dhe Midtjyllandit.






