KFF Mitrovica nis sot rrugëtimin në Ligën e Kampionëve për femra, ku do të përballet me skuadrën moldave Zimbru Chişinău.
Ndeshja zhvillohet në Kampin Nacional në Hajvali, me fillim nga ora 16:30, dhe i takon gjysmëfinales së rundit të parë kualifikues të garës më prestigjioze evropiane për klube.
Skuadra kosovare do ta ketë përparësinë e terrenit vendas, pasi Mitrovica është organizatore e mini-turneut të dytë kualifikues. Synimi është i qartë: fitorja ndaj Zimbrut dhe sigurimi i një vendi në finalen e së shtunës.
Në gjysmëfinalen tjetër të këtij mini-turneu përballen KÍ Klaksvík nga Ishujt Faroe dhe Ludogorets nga Bullgaria. Fitueset e dy ndeshjeve do të takohen në finale më 25 korrik, nga ora 20:00.
Mitrovica synon ta shfrytëzojë mbështetjen e publikut dhe përvojën e saj në arenën ndërkombëtare për ta nisur sezonin evropian me fitore. Përballë do të jetë Zimbru Chişinău, që përfaqëson Moldavinë në edicionin 2026/27 të Ligës së Kampionëve.
Vetëm fituesja e finales së mini-turneut do të vazhdojë në rundin e dytë kualifikues të rrugës së kampioneve, prandaj Mitrovicës i duhen dy fitore për ta vazhduar aventurën në këtë garë.






