Drita ka barazuar 1:1 në udhëtim ndaj Florianës, në ndeshjen e parë të rundit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës, ndonëse ishte vetëm disa sekonda larg një fitoreje të madhe në Maltë.
Pas një ndeshjeje të kujdesshme dhe pa gola për pjesën më të madhe të saj, kampionët e Kosovës kaluan në epërsi në minutën e 94-të. Liridon Balaj, i cili ishte inkuadruar nga banka rezervë, realizoi për rezultatin 0:1 pas asistimit të Blerim Krasniqit.
Megjithatë, kur dukej se Drita do të kthehej në Gjilan me një fitore të rëndësishme, Floriana barazoi në minutën e 99-të përmes Amar Drinës. Goli i vendasve erdhi praktikisht në aksionet e fundit të ndeshjes, duke ia mohuar Dritës një rezultat që e kishte shumë pranë.
Skuadra gjilanase mund të konsiderohet e pafat, jo vetëm për mënyrën se si e pranoi golin, por edhe për paraqitjen e saj në fushë. Drita regjistroi 13 goditje, gjashtë prej tyre në portë, ndërsa Floriana kishte nëntë goditje dhe katër në kuadrat. Drita fitoi gjithashtu katër goditje nga këndi, një më shumë se kundërshtari.
Pavarësisht zhgënjimit të madh në fund, barazimi 1:1 e lë gjithçka të hapur për ndeshjen e kthimit. Me përkrahjen e tifozëve në Gjilan, Drita do ta ketë një mundësi të mirë për ta siguruar kualifikimin në rundin tjetër të garës evropiane.






