Drita e Gjilanit ka shënuar fitore si mysafire e Skënderbeut në Lipjan, duke triumfuar me rezultat 3:2, në kuadër të xhiros së nëntë të Superligës A të Kosovës në volejboll për meshkuj. Ndeshja u karakterizua me rivalitet të madh dhe emocione deri në fund.
Pas katër seteve të luftuara, ku të dyja skuadrat arritën të marrin nga dy sete, fitorja u vendos në setin e pestë. Aty, Drita u tregua më e përqendruar, duke fituar 15:9 dhe siguruar triumfin e përgjithshëm 3:2, njofton Federata e Volejbollit e Kosovës (FVK).
Me këtë fitore, Drita arkëton dy pikë, ndërsa Skënderbeu merr një pikë. Pas nëntë xhirove, të dyja skuadrat kanë nga 12 pikë, me bilanc identik prej katër fitoresh dhe pesë humbjesh
Njoftimin e plotë të FVK-së në facebook (11.11.2026):
“DRITA E FITON DRAMËN NË LIPJAN!
SUPERLIGA A – MESHKUJT | XHIRO 9
SKËNDERBEU 2-3 DRITA
16:25, 25:21, 25:27, 25:20, 9:15
Një përballje dramatike është zhvilluar në Lipjan, ku Drita ka arritur të triumfojë ndaj Skënderbeut pas pesë seteve dhe një beteje të fortë deri në pikën e fundit.
Gjilanasit e nisën më mirë takimin, duke fituar setin e parë, por Skënderbeu reagoi në të dytin dhe barazoi rezultatin. Seti i tretë solli rivalitet të madh, me Dritën që arriti ta fitojë ngushtë 27:25.
Vendasit nuk u dorëzuan dhe me triumfin 25:20 në setin e katërt e dërguan ndeshjen në setin vendimtar. Në setin e pestë, Drita ishte më e përqendruar dhe me rezultat 15:9 siguroi fitoren 3:2, duke marrë dy pikë nga kjo përballje, ndërsa Skënderbeut i mbetet një pikë.
Pas nëntë xhirove, të dyja skuadrat kanë bilanc identik: nga 12 pikë, katër fitore dhe pesë humbje”










