Xhiroja e gjashtë e Albi Mall Superligës së Kosovës mbyllet sot me dy ndeshje, të cilat zhvillohen në Suharekë dhe Podujevë.
Nga ora 16:00, Ballkani e pret Dukagjinin, ndërsa në të njëjtën kohë Llapi do të përballet me Malishevën në stadiumin “Zahir Pajaziti”.
Ballkani – Dukagjini
Ballkani synon të rikthehet te rezultatet pozitive pas humbjes 1:0 ndaj Gjilanit në xhiron e kaluar. Suharekasit kanë grumbulluar nëntë pikë nga pesë ndeshjet e para të kampionatit.
Në anën tjetër, Dukagjini është një nga skuadrat që e ka nisur më mirë edicionin e ri. Klinasit ende nuk kanë pësuar humbje, ndërsa në ndeshjen e fundit mposhtën Malishevën me rezultat 2:0.
Llapi – Malisheva
Në Podujevë, Llapi kërkon vazhdimësi pas fitores bindëse 4:0 ndaj Vushtrrisë, që ishte njëkohësisht fitorja e parë e llapjanëve këtë sezon.
Malisheva udhëton në Podujevë pas humbjes 2:0 nga Dukagjini dhe do të kërkojë rikthimin te pikët.
Ndeshjet e sotme:
⚽ Ballkani – Dukagjini | 16:00 ⚽ Llapi – Malisheva | 16:00
Me këto dy përballje përmbyllet programi i xhiros së gjashtë të Albi Mall Superligës së Kosovës.









