Ligji për Sponsorizime në Kulturë, Rini e Sport është pa dyshim dokumenti më i rëndësishëm për sportin e Kosovës në vitet e fundit dhe dokumenti që ka mundësuar rritjen e madhe të industrisë sportive në Kosovë. Tashmë në Kosovë ka klube që qarkullojnë miliona, ka klube që me sukses garojnë në arenën evropiane dhe klubet elitare në futboll, basketboll, volejboll e hendboll kanë ngritur dukshëm pagat e sportistëve dhe trajnerëve dhe kanë përmirësuar funksionimin.
Ligji, edhe pse u miratua më 2017, nuk ka prodhuar efekte konkrete deri në vitin 2021. Fillimisht u konstatua një përplasje ligjore me Ligjin për të Ardhurat e Korporatave dhe kjo ka bërë që ATK-ja të ketë qasje bllokuese ndaj zbatimit të Ligjit për Sponsorizim, gjegjësisht njohjes së sponsorizimeve.
Ligji për të Ardhurat e Korporatave u amandamentua më 2019, duke hapur kështu mundësinë për njohjen e shpenzimeve sipas Ligjit për Sponsorizim, mirëpo, për shkak të shpërthimit të pandemisë COVID-19, bizneset kanë hezituar të shpenzojnë në sponsorizim deri më 2021, kur edhe u nënshkruan në total mbi 7 milionë euro kontrata.

Mirëpo, që nga fillimi i zbatimit të ligjit në shkallë të gjerë, vërehen disa dukuri që kushtëzohen direkt nga preferencat e sponsorëve, gjegjësisht afërsia e disa klubeve me disa sponsorë dhe dominimi i sporteve ekipore më popullore në raport me sportet tjera.

Një dukuri tjetër që statistikat e konfirmojnë është dominimi gati total i klubeve të meshkujve në raport me klubet e femrave. Në pesë (5) vite që i kemi marrë si referenca që nga viti 2021, klubet e femrave inkasojnë jo më shumë se 7 cent në një euro nga totali i sponsorizimeve për klube (nuk përfshihen sponsorizimet për federata që e kanë obligim statutar që të përkrahin garat dhe ekipet kombëtare të meshkujve dhe të femrave).
Pjesa e klubeve të femrave u përgjysmua në 2022 (3,6%) dhe në 2025 arriti 6,9%, ende nën nivelin e 2021 (7,4%). Në çdo vit klubet e tjera morën të paktën 12 euro për çdo euro të klubeve të femrave.
Ambienti në të cilin mbi 90% të sponsorizimeve për klube inkasohen nga klubet e meshkujve, edhe pse është dëshmi e pabarazisë drastike, në vetvete nuk përbën problem ligjor ose shkelje.
Sa për të dëshmuar sa drastike është pabarazia ia vlen vetëm të shikohen klubet e të njëjtit sport me të njëjtin emër nga e njëjta komunë, por të gjinive të ndryshme!

Në basketboll dhe futboll klubet e meshkujve marrin 9–11 herë më shumë se homologet e femrave në 2025 dhe 14–30 herë më shumë gjatë pesë vjetëve. Trepça është rasti ekstrem: 1.249.000 euro për meshkujt kundrejt 7.000 euro për femrat në 2025, dhe 4,81 milion kundrejt 42.300 euro në 2021–2025. Në volejboll dhe hendboll shumat janë të vogla dhe ndryshojnë nga çifti në çift (Ulpiana: 9,7 herë në favor të meshkujve), dhe në tre çifte klubi i femrave merr më shumë në 2025 (Drita në volejboll, Istogu dhe Prishtina në hendboll); gjatë pesë vjetëve kjo vlen për Dritën dhe Istogun. Për Istogun, femrat inkasuan 255.900 euro kundrejt 17.250 euro për meshkujt në pesë vjet.
Hendbolli si përjashtim apo model i duhur
Kur tentojmë të bëjmë krahasimin e sukseseve ndërkombëtare të Kosovës në sporte të ndryshme, xhudo me 5 medalje olimpike dhe dhjetëra https://judoinside.com/country/judo_kosovomedalje botërore, evropiane dhe mesdhetare, e bën diferencën dhe është i paarritshëm.
Meqë të gjitha pesë medaljet olimpike të Kosovës janë fituar nga femrat dhe meqë garat në xhudo zhvillohen në nivel të ekipeve kombëtare (klubet kosovare rrallë garojnë në gara ndërkombëtare të klubeve në xhudo), këto suksese të mahnitshme të xhudos, janë më shumë përjashtime dhe raste të izoluara, sesa mostra për analizë të krahasimit të klubeve të meshkujve dhe atyre të femrave.
Futbolli dhe basketbolli janë sportet me potencialin më të madh komercial në Kosovë dhe vazhdimisht rreth 70% të të gjitha parave të sponsorizimeve, inkasohen nga klubet, federatat ose shkollat sportive të këtyre dy sporteve.
Përderisa në futboll nuk kanë munguar sukseset ndërkombëtare (KF Ballkani dy sezone ka garuar në UEFA Conference League, kurse ekipi kombëtar i meshkujve ka qenë vetëm një ndeshje larg plasmanit në kampionat evropian dhe në kampionat botëror), në basketboll ka rreth një dekadë që nuk është arritur ndonjë sukses që ia vlen të përmendet.
Një tjetër parametër që dëshmon se sukseset ndërkombëtare nuk ndërlidhen direkt me sasinë e parave që hyn nga sponsorët në sport, janë edhe shembujt nga hendbolli.
Nga sportet ekipore, në nivel të ekipeve kombëtare, hendbolli është i vetmi që në kategoritë e reja ka marrë pjesë në kampionate botërore të meshkujve dhe të femrave.
Në nivel të klubeve, në hendboll vërehet dallimi dukshëm më i vogël në përqindje të sponsorizimeve ndërmjet meshkujve dhe femrave

KHF Istogu, klubi që ka dominuar në hendbollin e femrave viteve të fundit (5 herë kampion i Kosovës, 6 herë fitues i Kupës, pjesëmarrës në 1/8 e finales në Kupën e EHF-së), është shembulli më i suksesshëm i konvertimit të sponsorizimeve në suksese në gara vendore dhe ndërkombëtare.
Shumat e ndryshme, por vijat e shpenzimit të njëjta
Në biseda me drejtues të klubeve dhe në biseda jozyrtare me krerët e federatave dhe organizatave të ndryshme sportive, vërehet se vijat e shpenzimit të buxheteve janë shumë të ngjashme ndërmjet klubeve kryesore të meshkujve dhe të femrave. Meqë qasja në hapësira për stërvitje është pak a shumë e rregulluar duke i marrë në shfrytëzim hapësirat publike (sallat e qyteteve ose sallat e shkollave), shpenzimet e transportit dhe të rekuizitave e pajisjeve janë të ngjashme për nga vlerat, por tek klubet e femrave figurojnë si përqindje më e madhe.
Edhe pse klubet hezitojnë të japin shifra të sakta për rrogat e lojtareve, është e vërejtshme që lojtaret ndërkombëtare paguhen më shumë sesa ato vendore dhe kjo përbën vijën kryesore të shpenzimeve.
Në KBF Bashkimi pohojnë se shpenzimet për paga të lojtareve dhe trajnerëve përbëjnë shumicën (rreth 60%) të buxhetit të klubit dhe si total, shifrat e pagave për lojtare vendore janë të përafërta me ato të lojtareve ndërkombëtare.
KBF Bashkimi 1965 është klubi më i suksesshëm i basketbollit të femrave pas luftës në Kosovë si 11 herë kampion dhe 9 herë fitues i Kupës së Kosovës. Klubi prizrenas është klubi më stabil edhe në aspektin financiar dhe sipas Rrahman Përteshit, Kryetar i klubit, “Ligji për Sponsorizim është një mekanizëm shumë i rëndësishëm për financimin e sportit, por se klubet e basketbollit të femrave ende nuk po përfitojnë në nivelin që meritojnë”.
Përteshi pohon se “Klubet e femrave kanë shpenzime të konsiderueshme dhe obligime pothuajse të njëjta organizative si klubet e meshkujve: dallimi vetëm në paga ndryshon besoj, po në udhëtime, akomodim, ushqim, organizim të ndeshjeve dhe obligimet tjera janë të njëjta”.
Në rastin e KHF Istogu situata është edhe më e vështirë meqë salla e sporteve në Istog, e nisur para më shumë se një dekade, nuk ka përfunduar kurrë dhe ky klub detyrohet që edhe ndeshjet si vendës t’i zhvillojë jashtë komunës së vet, kurse për mundësi për stërvitje cilësore nuk ka, meqë infrastruktura nuk mundëson një gjë të tillë.
Në përgjigjen me shkrim të klubit lidhur me shpenzimet, pohohet se “përveç pagave, ndër shpenzimet kryesore të klubit është transporti. Ne udhëtojmë rreth 30 kilometra për çdo stërvitje, ndërsa kemi edhe shpenzimet e udhëtimit për ndeshjet vendore dhe ato ndërkombëtare, përfshirë garat evropiane. Shpenzime të tjera të rëndësishme janë ushqimi, akomodimi, rekuizitat sportive dhe nevojat e tjera organizative të klubit”.
Klubet tjera në Istog, për shkak të mungesës së sallës kanë probleme edhe më të mëdha dhe pothuajse asnjë prej tyre nuk mendon në rezultatet kulmore, po vetëm në mbijetesë.
Diferenca, sipas zyrtarëve të KHF Istogut është pikërisht Ligji për Sponsorizim. “Për klubin tonë, Ligji për Sponsorizim përbën burimin kryesor të të hyrave dhe është jetik për mbijetesën dhe funksionimin e klubit. Pa mbështetjen që mundëson ky ligj, do të ishte shumë më e vështirë të vazhdonim aktivitetet tona, të zhvillonim klubin dhe të kontribuonim në zhvillimin e përgjithshëm të sportit. Prandaj, zbatimi dhe vazhdimi i këtij ligji kanë rëndësi të veçantë për klubet e futbollit të femrave, të cilat kanë nevojë për mbështetje më të madhe financiare dhe kushte më të mira për zhvillim” thuhet në përgjigjen e tyre kur pyeten për rëndësinë e këtij ligji.
Kjo përmbajtje është realizuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit SMS Facility – Mbështetje për Mediat e Vogla në Ballkanin Perëndimor, i zbatuar nga VAR Kosova. Përmbajtja është përgjegjësi ekskluzive e VAR Kosova dhe e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet, opinionet apo vlerat e Bashkimit Evropian ose të Kosovo 2.0.











