Edon Zhegrova mund të ndryshojë skuadër në ditët e fundit të afatit kalimtar në Itali.
Lazio ka shfaqur interesim për yllin e Kosovës, i cili aktualisht është pjesë e Juventusit, ndërsa mediat italiane raportojnë se klubi nga Roma po e shqyrton seriozisht mundësinë e transferimit të tij.
Sipas “La Gazzetta dello Sport”, emri i Zhegrovës është në listën e Lazios për repartin ofensiv, por një lëvizje konkrete mund të varet nga largimi i Matteo Cancellierit. Për këtë të fundit interesim kanë shfaqur klube të tjera të Serie A.
Formula që po diskutohet për Zhegrovën është huazimi nga Juventusi me mundësi blerjeje. Sipas raportimeve të fundit, Lazio do të preferonte që marrëveshja të mos përmbante detyrim për blerjen përfundimtare të kartonit.
Zhegrova do t’i jepte Lazios një alternativë shtesë në krahët e sulmit, ndërsa te Juventusi konkurrenca për minuta mbetet e madhe.
Megjithatë, deri në këtë fazë nuk ka ende ofertë zyrtare dhe gjithçka pritet të varet nga lëvizjet që Lazio do të bëjë në ditët e fundit të merkatos. Raportimet në Itali bëjnë të ditur se kontaktet e para rreth situatës së reprezentuesit të Kosovës tashmë kanë nisur.
Afati kalimtar në Itali mbyllet më 1 shtator, çka do të thotë se e ardhmja e Zhegrovës mund të vendoset shumë shpejt.









