Mbrëmja e së enjtes nuk shkoi siç shpresonin skuadrat shqiptare në garat evropiane, me Dritën, Dinamo Cityn dhe Egnatian që u eliminuan nga garat e tyre përkatëse pas ndeshjeve dramatike të kthimit.
Drita ishte shumë pranë një arritjeje historike dhe kualifikimit në fazën e ligës së Conference League, por u ndal vetëm pas ekzekutimit të penalltive.
Kampionia e Kosovës barazoi 0:0 në udhëtim ndaj Inter Club d’Escaldes, ndërsa pas rezultatit 2:2 në ndeshjen e parë, fituesi nuk u përcaktua as pas vazhdimeve. Në penallti skuadra nga Andorra u tregua më e saktë, duke fituar 4:2 dhe duke i dhënë fund aventurës evropiane të Dritës.
Edhe Dinamo City ishte vetëm disa minuta larg mundësisë për të luftuar për kualifikim, por u eliminua nga Pafosi pas vazhdimeve.
Ndeshja në Qipro përfundoi 2:2 pas 90 minutave, ndërsa Pafosi shënoi edhe dy herë në vazhdime për të fituar 4:2. Me rezultatin e përgjithshëm 5:3, skuadra qipriote siguroi kalimin në fazën e ligës së Conference League, ndërsa Dinamo e përfundoi këtu rrugëtimin evropian.
Dramatike ishte edhe mbrëmja e Egnatias në Norvegji. Kampionia e Shqipërisë, pas barazimit 0:0 në ndeshjen e parë, e çoi sfidën ndaj Lillestrømit në vazhdime, por vendasit arritën të triumfojnë 2:1 dhe të sigurojnë kualifikimin në Europa League.
Megjithatë, për dallim nga Drita dhe Dinamo City, eliminimi i Egnatias nuk nënkupton fundin e aventurës evropiane. Skuadra nga Rrogozhina, si e eliminuar në play-off të Europa League, kalon direkt në fazën e ligës së Conference League, duke siguruar kështu vazhdimësinë në Evropë edhe gjatë vjeshtës.
Kështu, një mbrëmje që mund të sillte disa kualifikime historike përfundoi me zhgënjim për Dritën dhe Dinamon, ndërsa Egnatia humbi mundësinë për të luajtur në Europa League, por do të vazhdojë përfaqësimin shqiptar në fazën e ligës së Conference League.









