Xhiroja e katërt e Superligës së Kosovës në futboll nis sot me përballjen ndërmjet Prishtinës dhe Vushtrrisë.
Ndeshja zhvillohet nga ora 16:00, ndërsa dy skuadrat hyjnë në këtë takim me rezultate krejtësisht të ndryshme në javët e para të kampionatit.
Prishtina e ka nisur fuqishëm edicionin e ri. Kryeqytetasit kanë fituar të dyja ndeshjet që kanë zhvilluar deri më tani, duke mposhtur Ballkanin 4:2 dhe Llapin 4:0.
Në anën tjetër, Vushtrria është ende në kërkim të pikëve të para. Skuadra vushtrriase ka pësuar tri humbje në tri ndeshjet e para, ndaj Malishevës, Ballkanit dhe Dritës.
Për Prishtinën, kjo është një mundësi për të vazhduar serinë pozitive dhe për të qëndruar në pjesën e sipërme të tabelës, ndërsa Vushtrria synon pikët e para të sezonit.
Ndeshja Prishtina – Vushtrria e hap programin e xhiros së katërt, e cila vazhdon gjatë fundjavës me katër takime të tjera.









