Xhiroja e shtatë e Superligës së Kosovës mbyllet sot me dy ndeshje që pritet të sjellin rivalitet të madh. Drenica do ta presë Llapin në Skenderaj, ndërsa në Klinë, Dukagjini do të jetë nikoqir i kampiones në fuqi, Dritës. Të dyja takimet zhvillohen nga ora 19:00.
Pas tri ndeshjeve të zhvilluara të premten dhe të shtunën, ku Prishtina mposhti Gjilanin 2:1, Feronikeli 74 fitoi 3:1 ndaj Vushtrrisë dhe Malisheva triumfoi 2:1 ndaj Ballkanit, vëmendja sot zhvendoset në Skenderaj dhe Klinë.
**
Drenica – Llapi, pikë të rëndësishme në Skenderaj
**
Drenica hyn në këtë përballje nga pozita e shtatë me 6 pikë pas gjashtë ndeshjeve, me një bilanc prej një fitoreje, tri barazimesh dhe dy humbjesh. Skuadra nga Skenderaj ka shënuar pesë gola dhe ka pranuar shtatë deri më tani.
Në anën tjetër, Llapi nuk e ka nisur mirë sezonin. Podujevasit kanë vetëm 3 pikë pas gjashtë ndeshjeve, me një fitore dhe pesë humbje. Me 17 gola të pranuar, Llapi ka një nga mbrojtjet më të goditura në këtë fillim të kampionatit.
Pikërisht për këtë arsye, takimi në Skenderaj ka peshë të madhe për të dy skuadrat. Drenica synon të krijojë distancë nga pjesa e poshtme e tabelës, ndërsa Llapi kërkon pikë për t'u shkëputur nga pozitat e rrezikshme.
Drenica – Llapi 📍 Skenderaj 🕖 19:00
Dukagjini – Drita, përballja kryesore e mbrëmjes
Vëmendja e madhe pritet të jetë në Klinë, ku Dukagjini i pamposhtur këtë sezon pret Dritën.
Skuadra nga Klina ka bërë një fillim shumë të mirë të kampionatit, duke grumbulluar 12 pikë nga gjashtë ndeshje, me tri fitore dhe tri barazime. Dukagjini renditet në pozitën e tretë dhe ka pranuar vetëm tri gola, një tregues i stabilitetit të skuadrës në fazën defensive.
Drita, ndërkaq, ka zhvilluar vetëm pesë ndeshje deri më tani dhe ka 8 pikë, me dy fitore, dy barazime dhe një humbje. Kampionia e edicionit të kaluar ka shënuar gjashtë dhe ka pranuar katër gola.
Gjilanasit vijnë pas një periudhe jo të mirë në aspektin ofensiv. Në tri ndeshjet e fundit të Superligës, Drita barazoi 0:0 me Drenicën, humbi 1:0 nga Feronikeli 74 dhe luajti 0:0 ndaj Gjilanit, duke mos shënuar në asnjërën prej tyre.
Për Dukagjinin, një rezultat pozitiv do të vazhdonte serinë pa humbje dhe do ta mbante skuadrën në pjesën e epërme të renditjes, ndërsa Drita kërkon rikthimin te fitorja dhe ritmin që i nevojitet për t'u afruar me kreun.
Dukagjini – Drita 📍 Klinë 🕖 19:00
Pas ndeshjeve të sotme kompletohet xhiroja e shtatë, në një kampionat ku Prishtina vazhdon të jetë në krye me 18 pikë nga gjashtë ndeshje, ndërsa Malisheva ka 16 pikë pas shtatë paraqitjeve.









