Ish-futbollisti dhe anëtari i stafit teknik të Shkëndijës së Tetovës, Agron Memedi, ka ndërruar jetë papritur në moshën 46-vjeçare, gjatë një seance stërvitore të skuadrës.
Memedi, ish-përfaqësues i Maqedonisë së Veriut, raportohet se është rrëzuar dhe ka humbur ndjenjat derisa ndodhej në fushë me ekipin.
Personat e pranishëm kanë tentuar t’i ofrojnë ndihmë, por fatkeqësisht ai ka ndërruar jetë gjatë transportimit për në spital.
Lajmi tragjik është konfirmuar nga zëdhënësi i Shkëndijës, Faton Zilbehari, ndërsa klubi nga Tetova ka reaguar me një mesazh emocionues për humbjen e ish-futbollistit dhe anëtarit të stafit të tij teknik.
“Me dhimbje të thellë njoftojmë opinionin për ndarjen nga jeta të Agron Memedit, anëtar i stafit teknik dhe ish-futbollist i klubit tonë”, thuhet në njoftimin e Shkëndijës.
Klubi theksoi se ka humbur një pjesëtar të rëndësishëm të familjes kuqezi, i cili fillimisht kontribuoi si futbollist e më pas si pjesë e stafit të trajnerëve.
Memedi ishte i njohur për karrierën e tij si futbollist dhe për kontributin në zhvillimin e lojtarëve të rinj.
Ndarja e tij e papritur nga jeta ka tronditur komunitetin sportiv në Maqedoninë e Veriut dhe më gjerë, duke lënë pas dhimbje të madhe te familjarët, miqtë, kolegët dhe dashamirët e futbollit.










