Presidenti i KF Drenica, Halim Bajraktari, ka sqaruar për VAR Kosova arsyen e mungesës së tifogrupit “Shqiponjat e Zeza” në ndeshjet e skuadrës.
Bajraktari ka bërë të ditur se kanë kaluar katër muaj që kur ai ka marrë drejtimin e klubit dhe se gjatë kësaj periudhe tifogrupi nuk ka qenë i pranishëm në asnjërën prej ndeshjeve të Drenicës.
Sipas tij, arsyeja e kësaj mungese lidhet me kërkesën e tifozëve për një lokal në hapësirat e palestrës sportive “Ilaz Kodra”.
Presidenti i Drenicës ka deklaruar për VAR Kosova se sigurimi i një lokali në atë hapësirë nuk është në kompetencën e tij. Megjithatë, ai është shprehur i gatshëm që tifogrupit t’i ofrojë një nga lokalet që ndodhen në stadiumin “Bajram Aliu”.
Ndërkohë, VAR Kosova ka mësuar nga burime brenda tifogrupit se “Shqiponjave të Zeza” deri më tani nuk i është ofruar asnjëherë konkretisht një lokal në hapësirat e stadiumit “Bajram Aliu”.
Të njëjtat burime kanë bërë të ditur se janë në pritje të një takimi me presidentin Halim Bajraktari, pas përfundimit të ndeshjes ndërmjet Drenicës dhe Dritës, e cila u mbyll me rezultat 1-1.
Mungesa e “Shqiponjave të Zeza” u vërejt edhe në këtë përballje, ku Drenica luajti sërish pa mbështetjen e tifogrupit të saj nga tribunat.
VAR Kosova kishte raportuar më herët se tifogrupi është i pakënaqur me drejtuesit e klubit për shkak të mosmarrëveshjeve rreth sigurimit të një hapësire të veçantë për ta, situatë që raportohet të ketë lindur pas ndryshimeve në kryesinë e Drenicës.
Sipas informacioneve të siguruara nga VAR Kosova, tifozëve u është “mbushur kupa” dhe ata janë shprehur se “janë lodhur duke dhënë gjithçka për Drenicën”, ndërkohë që pretendojnë se kërkesat e tyre vazhdojnë të mos marrin zgjidhje.
Për të sqaruar situatën, VAR Kosova i kishte dërguar pyetje zyrtare klubit, duke kërkuar shpjegime për mungesën e tifogrupit dhe natyrën e mosmarrëveshjes.
Në përgjigjen e tij, presidenti Halim Bajraktari ka konfirmuar se çështja lidhet me kërkesën për një lokal, duke shprehur gatishmëri për të ofruar një hapësirë në stadiumin “Bajram Aliu”. Megjithatë, sipas burimeve të VAR Kosova, një ofertë e tillë ende nuk është bërë konkretisht.
Mbetet të shihet nëse takimi i paralajmëruar me presidentin Bajraktari do të sjellë një marrëveshje dhe rikthimin e “Shqiponjave të Zeza” në tribuna për ta mbështetur Drenicën.










