Barazimi 1:1 ndaj Izraelit nuk ishte rezultati i pritur, por as fundi i shpresave për Kosovën. Përkundrazi, kombëtarja e Kosovës vazhdon të jetë në pozitë për të luftuar për vendin e dytë në Brupin B3 të Ligës së Kombeve.
Pas këtij barazimi, Kosova ka 6 pikë, Irlanda 5, Austria 8 dhe Izraeli 3. Diferenca mes Kosovës dhe Irlandës është vetëm një pikë, prandaj ndeshja e fundit mes tyre do të ketë peshë të jashtëzakonshme.
Një rezultat që duhet të përcillet me shumë interes është ajo në mes Austrisë me Irlandën. Për Kosovën, fitorja e Austrisë ose barazimi do të ishte rezultat i favorshëm, sepse do ta mbanin Irlandën prapa në tabelë.
Por, pavarësisht rezultateve të kundërshtarëve, Kosova duhet t’i rikthehet vetëvetes. Më 17 nëntor 2026 e pret një sfidë shumë e rëndësishme në Dublin kundër Irlandës.
Lajmi i mirë është se Kosova e ka fituar ndeshjen e parë ndaj irlandezëve me rezultat 1:0. Ky rezultat mund të ketë rëndësi të madhe në rast të barazimit me pikë, pasi përballjet direkte janë një faktor vendimtar në renditjen e grupit.
Nëse Kosova fiton në Dublin, shkon në kuotën e 9 pikëve dhe e rrit ndjeshëm mundësinë për ta përfunduar grupin në vendin e dytë.
Në rast barazimi, shkon në 7 pikë dhe vazhdon të ketë përparësi ndaj Irlandës nga përballjet direkte.
Ndërsa humbja do ta komplikonte seriozisht situatën.
Barazimi me Izraelin ishte një mundësi e humbur për të bërë një hap më të madh drejt objektivit. Megjithatë, gjithçka mbetet e hapur.
Kosova ende e ka fatin në duart e veta. Tani nuk ka vend për llogaritje të tepërta, por për përqendrim, karakter dhe luftë në fushë.
Dublini është prova e radhës dhe aty duhet të tregohet se Kosova e meriton vendin e dytë në grup.










