Federata e Futbollit të Kosovës ka ndërruar çmimoren e biletave për ndeshjet e Kombëtares së Kosovës, duke u shndërruar kështu si më e shtrenjta në rajon, përveç Serbisë.
Bileta më e lirë në Kosovë është 20 euro, ndërsa në Shqipëri 11.40 euro, në Maqedoni 8.12 euro, në Mal të Zi 5 euro, ndërsa në Serbi 22.99 euro.
Janë bërë një vit prej kur Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka rritur çmimet e biletave dy herë.
Deri vitin e kaluar, çmimi i lirë për të parë Kosovën ishte 5 euro në tribunat mbrapa portave, ndërsa në këtë cikël tani ka shkuar në 20 euro për ulëse.
Në prag të fillimit të ndeshjeve në Grupin 3 të kategorisë B për ‘Nations League’, ku Kosova gjendet në grup me Irlandën, Austria dhe Izraeli, VAR Kosova ka krahasuar çmimet e FFK-së me çmimet e Federatave të Futbollit me shtetet me të cilat kufizohemi.
Për ndeshjet e Kosovës në Ligën e Kombeve ku do ndeshet me Irlandën, më 24.09.2026, në stadiumin “Fadil Vokrri” janë dalë në shitje çmimet e biletave për katër tribunat e stadiumit.
Në tribunat mbrapa golave, në veri dhe jug, çmimi i biletave i vendosur nga FFK është 20 euro.
Ndërsa në linde, anash fushës, çmimi është 30 euro.
Ndërsa në Perëndim, çmimi i vendosur nga FFK është 50 euro.
Dhe për zonat VIP, FFK ka vendosur çmimin 150 euro për biletë.
Në stadiumin “Air Albania”, ku Shqipëria pritet të përballet me Bjellorusinë, më 26.09.2026, shikuesit mund të blejnë bileta në katër anët e tij.
Në pjesën e mesme të tribunës, shikuesit mund të blejnë bileta në zonat E dhe Ë të cilat janë në dy anët në ballë të fushës si dhe në zonat S, V dhe N të cilat janë ballë për ballë, mbrapa portave.
Në zonën Ë të tribunës e cila gjendet nën zonën VIP çmimet variojnë nga 8 mijë e 230 lekë apo 89.99 euro deri në 30 mijë e 860 lekë apo 337.28 euro bazuar në këmbimin valutor të datës 22.09.2026.
Përballë zonës Ë gjendet zona E në të cilën janë çmimet nga 3 mijë e 86 lekë apo 33,74 euro deri në 2mijë e 575 lekë apo rreth 28.15 euro me të njëjtin këmbim valutor.
Në zonën N prapa portës, çmimi është 1 mijë e 45 lekë apo 11.42 euro me këmbim valutor të sotëm, poashtu i njejtë është edhe në zonat S dhe V prapa portës tjetër.
Në tribunat që janë ngjitur me tribunat anësore dhe ato mbrapa golave, biletat lartë kanë çmim 28.15 euro.
Në stadiumin “Rajko Mitiq” ku Serbia pritet të përballet me Greqinë, më 24.09.2026, poashtu shikuesit mund të blejnë bileta në katër anët e tij duke filluar nga më e lira e cila është tribuna veriore me 2 mijë e 700 dinar apo 22.99 euro me këmbim të sotëm valutor.
Të përafërta në çmim janë tribuna perëndimore me 4 mijë e 500 dinar apo 38.33 euro dhe tribuna lindore me 4 mijë e 200 dinar apo 35.77 euro.
Ndërsa çmimet më të larta janë në tribunën e quajtur Sinisha Mihajloviq, 8 mijë e 400 dinar apo 71.55 euro me këmbim valutor të datës 22.09.2026 si dhe në zonën VIP, 30 mijë dinar apo 255.56 euro.
Në stadiumin “Gradski Stadion” ku Mali i zi e pret Qipron, më 25.09.2026, çmimet fillojnë me 5 euro në tribunat veriore dhe jugore, 6 euro në sektorët A dhe G të tribunës lindore, 8 euro në sektorët B, C, D, E dhe F të tribunë lindore si dhe sektorët A dhe F të tribunës perëndimore.
Ndërsa për sektorët B dhe E në tribunën perëndimore çmimi është 10 euro ndërsa në sektorët C dhe D të tribunës perëndimore çmimi është 12 euro.
Stadiumit “Todor Proeski” i Maqedonisë së Veriut i kanë mbetur tre kategori të disponueshme për të blerë biletë meqenëse në zonën e lindjes janë shitur të gjitha.
Për këtë ndeshje, Maqedonia e Veriut pritet të përballet me Zvicrën më 26.09.2026.
Kategoria e parë e ulëseve gjenden në tribunën jugore dhe veriore me çmim 1 mijë e 800 denar apo 29.23 euro me këmbimin e sotëm valutor poashtu edhe kategoria e dytë e ulëseve gjenden në këto dy tribuna me çmim 1 mijë denar apo 16.24 euro.
Kategoria e tretë e ulëseve gjenden kryesisht në tribunën perëndimore me çmim 500 denar apo 8.12 euro me këmbim valutor të datës 22.09.2026.
20 euro është bileta më e lirë për ta shikuar ndeshjen e Kosovës ndaj Irlandës në stadiumin “Fadil Vokrri” për fazën e grupeve të Ligës së Kombeve.
Federata e Futbollit të Kosovës ka njoftuar për fillimin e shitjes së biletave për këtë ndeshje, e cila do të zhvillohet më 24.09.2026.
Kosova do t’i luaj 4 ndeshje në këtë cikël. Kombëtarja e Kosovës në Prishtinë do të ndeshet me Irlandën dhe Austrinë, ndërsa do të luaj si mysafire ndaj Austrisë dhe Izraelit.
Çmimet e biletave për këtë ndeshje në stadiumin “Fadil Vokrri” janë 20 euro për Veri dhe Jug, 30 euro për Lindje, 50 euro për Perëndim dhe bileta VIP është 150 euro.









