Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) u ka bërë thirrje tifozëve që të tregojnë kujdes maksimal gjatë sigurimit të biletave për ndeshjen e Kombëtares shqiptare.
Përmes një njoftimi zyrtar, FSHF ka paralajmëruar për rrezikun e mashtrimeve me bileta të dublikuara, duke këshilluar tifozët që të shmangin blerjet nga persona të paautorizuar apo burime të dyshimta.
Sipas federatës, e njëjta biletë mund të shitet disa herë, duke shkaktuar probleme për tifozët në momentin e hyrjes në stadium.
Një tjetër apel i FSHF-së lidhet me orarin e paraqitjes në stadium. Tifozëve u kërkohet të mbërrijnë në kohë, në mënyrë që të shmangin radhët dhe vonesat para nisjes së ndeshjes.
Ndërkohë, për arsye sigurie, Policia e Shtetit do të kryejë kontrolle të shtuara në hyrje të stadiumit. Federata ka kërkuar mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e tifozëve, si dhe respektimin e udhëzimeve të personelit të sigurisë.
Në fund, FSHF u ka bërë thirrje të gjithë mbështetësve që të tregojnë përgjegjshmëri, në mënyrë që gjithçka të zhvillohet pa probleme dhe atmosfera në mbështetje të Kombëtares të jetë sa më pozitive.
Njoftimi I plotë i FSHF-së (12.11.2026):
“Federata Shqiptare e Futbollit u drejtohet me një thirrje të gjithë tifozëve që të tregojnë kujdes maksimal gjatë sigurimit të biletave për ndeshjen.
FSHF paralajmëron tifozët të mos bien pre e mashtrimeve me bileta të dublikuara dhe të shmangin blerjet nga persona të paautorizuar apo burime të dyshimta. Në këto raste ekziston rreziku që e njëjta biletë të shitet disa herë, duke krijuar probleme në momentin e hyrjes në stadium.
Gjithashtu, për të shmangur radhët dhe vonesat, këshillojmë të gjithë tifozët të paraqiten pranë stadiumit në kohë, duke planifikuar paraprakisht mbërritjen e tyre.
Për arsye sigurie, Policia e Shtetit do të kryejë kontrolle të shtuara në hyrje të stadiumit. Për këtë arsye, kërkojmë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e tifozëve, si dhe respektimin e udhëzimeve të personelit të sigurisë.
FSHF fton të gjithë tifozët të tregojnë përgjegjshmëri, në mënyrë që hyrja në stadium dhe zhvillimi i ndeshjes të kalojnë sa më mirë.
Faleminderit për mirëkuptimin dhe mbështetjen! Së bashku në krah të Kombëtares!”










