Pesë milionë euro janë planifikuar për renovimin e stadiumit “Adem Jashari” në Mitrovicë, sipas Projektbuxhetit të Kosovës për vitin 2027.
Këto mjete janë paraparë nga Ministria e Sportit dhe Rinisë, në kuadër të projektit për renovimin e stadiumit mitrovicas.
Sipas të dhënave të Projektbuxhetit, deri në vitin 2026 për këtë projekt janë shpenzuar gjithsej 10 milionë e 826 mijë e 818 euro.
Ndërkohë, projektbuxheti për vitin e ardhshëm, në vlerë të përgjithshme prej 4.27 miliardë euro, është miratuar nga Qeveria e Kosovës më 2 nëntor 2026 dhe tashmë ka kaluar në procedurë parlamentare për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Kosovës.
Kjo nënkupton se pesë milionë eurot e parapara për stadiumin “Adem Jashari” ende nuk përbëjnë ndarje përfundimtare buxhetore, pasi projektligji duhet të kalojë procedurat parlamentare dhe të marrë miratimin përfundimtar të deputetëve.
Ndërkaq, renovimi i stadiumit “Adem Jashari” është një projekt që ka nisur vite më parë. Sipas të dhënave të publikuara në dokumentet buxhetore, projekti ka pasur investime të konsiderueshme ndër vite, ndërsa vazhdimi i financimit mbetet pjesë e planifikimeve për vitin 2027.










