Manchester City ka marrë një fitore të thellë në udhëtim, duke mposhtur Crystal Palace me rezultat 4-1 në “Selhurst Park”. Erling Haaland dhe Rayan Cherki realizuan nga dy gola, duke udhëhequr skuadrën e Enzo Marescas drejt një tjetër paraqitjeje bindëse në Premier League. City kaloi në epërsi në minutën e 17-të. Pas harkimit të Antoine Semenyos nga krahu i majtë, Haaland u shkëput nga mbrojtësit dhe e dërgoi topin me kokë mbi portierin Dean Henderson. Crystal Palace pati disa momente të mira gjatë pjesës së parë. Eddie Nketiah, Daichi Kamada dhe Tyrick Mitchell iu afruan golit, por vendasve u mungoi saktësia në përfundim të aksioneve. Ndeshja mori drejtim tjetër pas pushimit. Në minutën e 54-t, Cherki depërtoi mes disa mbrojtësve të Palace dhe realizoi me një goditje të zgjuar nga afërsia për 2-0.
Vendasit reaguan vetëm dy minuta më vonë. Goditja e lirë e Yéremy Pinos u ndal fillimisht në shtyllë, përpara se topi të përplasej në Gianluigi Donnarumman dhe të përfundonte në rrjetë. Megjithatë, shpresat e Palace zgjatën shumë pak. Cherki shënoi sërish në minutën e 59-të, këtë herë me një goditje të fuqishme nga rreth 20 metra, e cila u devijua lehtë dhe e befasoi Hendersonin.
Rezultatin përfundimtar e vendosi Haaland në minutën e 84-t. Phil Foden e nxori sulmuesin norvegjez përballë portierit dhe ky i fundit nuk gaboi, duke vulosur fitoren 4-1. Përveç dy golashënuesve, paraqitje të mirë zhvilloi edhe Foden, ndërsa Ayyoub Bouaddi debutoi me fanellën e Manchester Cityt.
Pas ndeshjes, Maresca vlerësoi jo vetëm golat e Cherkit, por edhe angazhimin e tij pa top dhe kontributin në presing. Në anën tjetër, Crystal Palace mbetet pa pikë pas dy ndeshjeve të para nën drejtimin e Pierre Sage.









