Shkëndija është mposhtur minimalisht 2:1 nga Hibernian në Edinburg, në ndeshjen e parë të raundit të tretë kualifikues të UEFA Conference League, por kuqezinjtë mbeten plotësisht në garë për kualifikim.
Skuadra tetovare zhvilloi një ndeshje të fortë në “Easter Road”, duke i bërë ballë presionit të vendasve dhe duke qenë shumë pranë largimit nga Skocia me një rezultat edhe më të favorshëm.
Pas një pjese të parë pa gola, Hibernian arriti ta zhbllokojë takimin në minutën e 73-të, kur Oliver Elding shënoi për epërsinë 1:0.
Megjithatë, reagimi i Shkëndijës ishte i menjëhershëm.
Vetëm tre minuta më vonë, Matej Gjorgjievski gjeti rrugën e rrjetës dhe barazoi rezultatin në 1:1, duke rikthyer kuqezinjtë fuqishëm në lojë.
Kur dukej se sfida do të përfundonte në barazim, Hibernian goditi në momentin më të keq për Shkëndijën.
Në minutën e 90-të, Warren O’Hora realizoi golin e dytë për skuadrën skoceze, duke ia siguruar Hibernianit fitoren 2:1 në ndeshjen e parë.
Por ky rezultat nuk mbyll asgjë.
Vetëm një gol e ndan Shkëndijën nga Hiberniani, ndërsa gjithçka do të vendoset në ndeshjen e kthimit, ku skuadra tetovare do ta ketë avantazhin e fushës së saj dhe mbështetjen e tifozëve.
Ndeshja e dytë është në program më 13 gusht, me Shkëndijën që do të kërkojë përmbysjen dhe vazhdimin e aventurës evropiane.
Humbja 2:1 në transfertë sigurisht që nuk ishte rezultati ideal, por mënyra se si Shkëndija qëndroi në lojë dhe fakti se diferenca është minimale bëjnë që çështja e kualifikimit të mbetet krejtësisht e hapur.
Tashmë gjithçka zhvendoset në Tetovë: 90 minuta për ta përmbysur Hibernianin dhe për të vazhduar ëndrrën evropiane.









