Futbolli gjerman rikthehet sonte në skenë, me nisjen zyrtare të sezonit 2026/27 në Bundesliga 2, ndërsa që në ndeshjen hapëse do të ketë edhe përfaqësim shqiptar.
VfL Bochum do ta presë Hertha Berlinin, në një përballje mes dy klubeve me traditë dhe ambicie për t'u rikthyer në elitën e futbollit gjerman. Takimi fillon në ora 20:30.
Në qendër të vëmendjes për tifozët shqiptarë do të jetë Enis Çokaj, i cili është përzgjedhur në formacionin titullar të Bochumit dhe do të bëjë debutimin e tij zyrtar me klubin gjerman.
Mesfushori shqiptar iu bashkua Bochumit këtë verë si transferim i lirë nga Panathinaikos, duke nënshkruar kontratë deri më 30 qershor 2028. Çokaj kishte kaluar dy sezonet e fundit në formë huazimi te Levadiakos në Greqi, ndërsa tashmë nis një kapitull krejtësisht të ri në Gjermani.
Bochumi e ka vlerësuar lart 27-vjeçarin edhe gjatë prezantimit të tij. Drejtuesit e klubit kanë veçuar luftën, pasionin dhe karakterin e Çokajt si cilësi që përputhen me filozofinë e skuadrës.
Shqiptari ka lënë përshtypje pozitive edhe gjatë fazës përgatitore. Në miqësoren ndaj Werder Bremenit, ai u dallua me rikuperime topi dhe shpërndarje të mira nga mesfusha, duke treguar se mund të ketë rol të rëndësishëm në skuadrën e Uwe Rösler.
Përballja Bochum – Hertha Berlin është ndeshja që hap zyrtarisht edicionin e ri të Bundesliga 2. Të dy klubet e nisin sezonin me synime të mëdha, pasi kërkojnë të jenë pjesë e luftës për promovim në Bundesliga.
Për tifozët shqiptarë, ndërkohë, sezoni nis menjëherë me një arsye shtesë për ta ndjekur kampionatin gjerman: Enis Çokaj nga minuta e parë në një nga ligat më konkurruese të Evropës.









