Një skandal i jashtëzakonshëm ka tronditur futbollin e Koresë së Jugut, pasi Federata Koreane e Futbollit (KFA) akuzohet se në të kaluarën u ka siguruar favore seksuale gjyqtarëve të huaj para ndeshjeve të kombëtares.
Sipas një raportimi ekskluziv të televizionit JTBC, ngjarjet kanë ndodhur gjatë vitit 2011 dhe përfshijnë rreth shtatë ndeshje, mes tyre edhe takime kualifikuese për Kupën e Botës “Brazil 2014” dhe për Lojërat Olimpike “Londër 2012”.
Raportimi pretendon se Federata Koreane kishte organizuar të ashtuquajturin “argëtim seksual” për një numër gjyqtarësh të huaj. Shpenzimet, që kapnin qindra mijëra won koreanë, dyshohet se janë paguar në lokale masazhi dhe, në disa raste, madje me kartela zyrtare të Federatës.
Raste të tilla raportohet se kanë ndodhur në disa qytete të Koresë së Jugut, përfshirë Seulin, Changwonin dhe Ulsanin.
Edhe më tronditëse janë deklaratat e një ish-zyrtari të KFA-së të cituar në raportim, sipas të cilit një praktikë e tillë konsiderohej në atë periudhë si diçka që bëhej “zakonisht”.
Raportimi ka ngritur pikëpyetje serioze mbi integritetin e ndeshjeve të asaj periudhe, megjithëse deri tani nuk është provuar se rezultatet apo vendimet e gjyqtarëve në këto takime janë manipuluar.
Në reagimin e saj, Federata Koreane e Futbollit ka pranuar se mund të kenë ndodhur ngjarje të papërshtatshme rreth 15 vjet më parë, ndërsa ka theksuar se sot funksionon me rregulla shumë më të rrepta të kontrollit të brendshëm.
Interesant është fakti se vetëm disa muaj më parë KFA kishte prezantuar reforma të reja në sistemin e arbitrimit, duke vendosur profesionalizmin, drejtësinë dhe transparencën si tri parimet kryesore të politikës së saj për gjyqtarët.
Zbulimet e fundit pritet të shkaktojnë reagime të mëdha në Korenë e Jugut dhe në futbollin aziatik, ndërsa mbetet të shihet nëse institucionet sportive ndërkombëtare do të kërkojnë hetime të mëtejshme për ndeshjet e përfshira në raportim.









