Drita është shumë pranë fazës “play-off” të UEFA Conference League. Skuadra nga Gjilani ka bërë një hap gjigant drejt kualifikimit, pasi ka triumfuar bindshëm 4:1 ndaj Tre Fiori në ndeshjen e parë të raundit të tretë kualifikues.
Kampionia e Kosovës mori një rezultat fantastik në udhëtim, duke krijuar epërsi të madhe para ndeshjes së kthimit dhe duke e vendosur veten në pozitë ideale për vazhdimin e aventurës evropiane.
Ndeshja nuk nisi sipas dëshirës së gjilanasve, pasi Tre Fiori kaloi në epërsi në minutën e 56-të përmes Matteo Prandellit.
Megjithatë, përgjigjja e Dritës ishte brutale.
Vetëm pesë minuta më vonë, Raddy Ovouka realizoi për 1:1, ndërsa vetëm një minutë më pas Blerim Krasniqi kompletoi përmbysjen e shpejtë për 2:1.
Drita vazhdoi dominimin edhe në minutat e fundit.
Në minutën e 82-të, Besnik Krasniqi realizoi golin e tretë, ndërsa në kohën shtesë ishte sërish protagonist, duke shënuar nga pika e bardhë për rezultatin përfundimtar 4:1.
Me tri gola avantazh para ndeshjes së kthimit, Drita tashmë mund të konsiderohet me një këmbë në “play-off” të Conference League.
Gjilanasve u mbetet vetëm të ruajnë epërsinë dhe ta përfundojnë punën në ndeshjen e dytë.









