Java e pestë e Albi Mall Superligës së Kosovës vazhdon sot me dy ndeshje interesante, ku në aksion do të jenë edhe Drita dhe Ballkani.
Takimi i parë i ditës zhvillohet nga ora 16:00, kur Feronikeli 74 e pret Dritën.
Gjilanasit kanë regjistruar deri më tani dy fitore dhe një barazim në tri ndeshjet e zhvilluara. Drita e nisi sezonin me fitoren 5–3 ndaj Llapit, më pas mposhti Vushtrrinë 1–0, ndërsa në xhiron e kaluar u ndal në barazim 0–0 nga Drenica.
Në anën tjetër, Feronikeli 74 është ende në kërkim të pikëve të para të sezonit. Skuadra nga Drenasi ka pësuar humbje në katër ndeshjet e para, ndërsa në xhiron e fundit u mposht 2–0 nga Ballkani.
Gjilani – Ballkani, kryendeshja e mbrëmjes
Vëmendja më e madhe pritet të jetë në Gjilan, ku nga ora 19:00 vendasit e Gjilanit do ta presin Ballkanin.
Ballkani vjen në këtë takim pas tri fitoreve radhazi në kampionat. Pas humbjes 4–2 ndaj Prishtinës në xhiron hapëse, skuadra nga Suhareka mposhti Vushtrrinë 2–1, Drenicën 2–0 dhe Feronikelin 74 po ashtu 2–0.
Gjilani, ndërkohë, ka grumbulluar shtatë pikë në katër ndeshjet e para. Kuqebardhët e nisën kampionatin me fitore ndaj Feronikelit 74 dhe Llapit, barazuan 2–2 me Dukagjinin, ndërsa në xhiron e fundit u mposhtën 3–1 nga Malisheva.
Java e pestë nisi të martën, kur Prishtina fitoi 4–1 ndaj Drenicës, ndërsa Llapi mposhti Vushtrrinë me rezultat të thellë 4–0. Xhiroja mbyllet të enjten me ndeshjen Dukagjini–Malisheva.
Ndeshjet e sotme:
⚽ Feronikeli 74 – Drita | 16:00 ⚽ Gjilani – Ballkani | 19:00









