Dardanët të hënën kanë zhvilluar stërvitjen e parë në stadiumin “Fadil Vokrri.

Para fillimit të stërvitjes lojtarët dardanë kanë ndjekur një video emocionuese dhe motivuese që u shfaq në stadium, derisa më pas kanë nisur punën nën përkujdesjen e përzgjedhësit Bernard Challandes dhe stafit të tij.

Në këtë stërvitje kanë marrë pjesë 14 nga 24 lojtarët e ftuar, ngase një pjesë e tyre për shkak të angazhimeve në ndeshjet e së dielës me skuadrat e tyre kanë bërë vetëm rigjenerim në hotelin ku janë të akomoduar, derisa Hekuran Kryeziu e Idriz Voca janë lënduar në ndeshjet e fundjavës dhe do të mungojnë në këtë grumbullim.

Pas stërvitjes prurja e re e Kosovës, Florian Loshaj ka premtuar se lojtarët që janë të pranishëm në grumbullim do të japin maksimumin në ndeshjen kundër Maqedonisë së Veriut.

“Jam i lumtur që jam për herë të parë pjesë e Kombëtares. Këtu më kanë pritur shumë mirë dhe po kalojmë në një atmosferë shumë të mirë. Besoj se të enjten do të bëjmë lojë shumë të mirë. Maqedonia ka ekip të mirë por edhe ne kemi kualitete shumë të mira dhe besojmë se ata lojtarë që do të luajnë të enjten do të bëjnë një lojë shumë të mirë”, ka thënë Florian Loshaj për faqen zyrtare të FFK-së. /VAR Kosova/