Të gjithë e njohim si “babushi”. Dikur ishte dominues absolut në krahun e djathtë të fushave të futbollit kosovar. Gjatë karrierës së tij i ka fituar të gjithë titujt e mundshëm në futbollin e Kosovës, derisa ka qenë pjesë edhe e Përfaqësueses së Kosovës në kohën sa Federata e Futbollit e Kosovës nuk ka qenë e pranuar në UEFA dhe FIFA. Sot punon si agjent tregtar (shitës), ka mbetur jashtë futbollit. Fjala është për Milaim Humollin.        

Në vitet e paraluftës, por edhe të pasluftës, njëri ndër lojtarët më të dalluar në futbollin kosovar ishte Milaim Humolli.

Lojtari i njohur si “babushi” ishte pjesë e FC Prishtinës, teksa ishte i pazëvendësueshëm si mbrojtës i djathtë, duke i sjellë skuadrës më të madhe në vend shumë trofe.

Humolli, që njihej si lojtar tejet luftarak, gjatë karrierës së tij ka luajtur edhe me Besianën (klub që tashmë është shuar) dhe Flamurtarin e Prishtinës.

Sot është 49-vjeçar. Tashmë pothuajse ka mbetur jashtë futbollit, punës që e ka bërë më zemër.

“Tashmë po punoj si agjent tregtar, jam edhe vëzhgues i FFK-së dhe delegohem kur më delegojnë ata”, nis bisedën për “Zeri.info” Milaim Humolli.

Në pyetjen sa a ndihet i zhgënjyer pas gjithë asaj karriere, tash që ka mbetur anash, Humolli deklaroi: “Jam i zhgënjyer, pasi mendoj se dikush nga ne që ka dhënë kontribut e ka merituar ndonjë post, por nuk kam se çka të bëj”.

Gjithsesi, Humollin nuk e ka harruar klubi i tij, për të cilin dha më së shumti.

“FC Prishtina më ka premtuar se do të më angazhojnë si trajner në kategori të reja. Po pres. I kam kryer edhe licencat për trajner deri në U-19”, pohoi Humolli.

A ia vlejti që ia kushtoi jetën futbollit?

Milaim Humolli, sikurse shumë futbollistë të gjeneratës së tij, ia ka kushtuar jetën futbollit.

A ia vlejti që jetën t’ia kushtoj futbollit.

“Mund të them për kohën time se ia kam parë hairin futbollit. Në kohën kur kam luajtur unë FC Prishtina i ka paguar lojtarët goxha mirë. Por pas përfundimit të karrierës u desh të ‘kapem’ diku dhe vendosa të merrem me punë krejtësisht që nuk kanë të bëjnë me futbollin”, potencoi Milaim Humolli.

Tutje, ai e bëri krahasimin me vitet kur ka luajtur dhe me tash.

“Në kohën time kur jemi shpallur kampionë 2-3 javë kanë shkruar gazetat për neve dhe çdo gjë është mbyllur dhe harruar. Sot është ndryshe. Sot futbollistët marrin pjesë në garat evropiane, mund të transferohen jashtë. Është krejt ndryshe”, vlerësoi Humolli të enjten për “Zeri.info”.

Image

I zhgënjyer me Kosovën

Përfaqësuesja e Kosovës e ka mbyllur ciklin në Ligën e Kombeve.

Ekipi i drejtuar nga përzgjedhësi Bernard Challandes në këtë vit ka dëshpëruar me rezultatet e arritura.

Në 11 ndeshjet e fundit e ka arritur vetëm një fitore, dy barazime dhe tetë humbje.

“Kosova më ka zhgënjyer, pasi na mësoi me rezultate të mira. Shpresoj shumë se do të kthehen në ditët më të mira”, pohoi ish-reprezentuesi kosovar.

Kosova në takimin e fundit e mundi në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë Moldavinë me rezultat 1:0 me golin e vetëm të realizuar nga Lirim Kastrati.

“Nuk ishte ndeshje e mirë nga ana e Kosovës, por është shumë e rëndësishme që u arrit fitorja, e cila mund ta motivojë ekipin për vazhdimësi”.

“Shumë favoritë për titull në Superligë”

Ky edicion i Superligës së Kosovës në futboll nga njohës të futbollit po vlerësohet si më interesanti në vitet e pasluftës.

Në garë për titull janë disa skuadra. Kështu mendon edhe vetë Humolli.

Image

“Ballkani ka bërë investime të mëdha dhe është pritur që do të jetë kandidat kryesor për titull.

Për titull si gjithmonë ‘lufton’ edhe Prishtina. Në garë janë edhe Drita, Gjilani, pse jo edhe Feronikeli. Këto skuadra janë shumë të forta”, përfundoi Milaim Humolli.

Krahas tij, për Prishtinën ka luajtur edhe vëllai i tij, Florimi. Njëri në krahun e djathtë të mbrojtjes e tjetri në të majtin, kanë kontribuuar për 20 vjet për Prishtinën.