Me barazim ka përfunduar derbi i javës së 14-të së Superligës së Kosovës, ndërmjet Dritës dhe Feronikelit me rezultat 1:1. Ndërsa, ndeshja tjetër e ditës përfundoi me fitoren e Arbërisë e cila mposhti Gjilanin me rezultat 1:0, shkruan VAR Kosova.

Drita mori një pikë tejet të rëndësishme në garën për titull të kampionit, pasi gjatë gjithë ndeshjes ishte në disavantazh.

Goli i Mendurim Hotit në pjesën e parë i dhuroi epërsinë skuadrës së Klodian Duros.

Feronikeli shënoi edhe golin e dytë në minutën e 75-të, por gjyqtari anësor Edmond Zeqiri e anuloi për shkak të pozitës jashtë loje.

Në aksionin tjetër, Drita arriti të barazonte rezultatin pas një kundërsulmi të shpejtë.

Golin e shënoi zëvendësuesi Festim Alidema, i cili ia siguroi një pikë mjaftë të rëndësishme skuadrës së tij.

Me këtë pikë, Drita renditet në pozitën e dytë me 27 pikë ndërsa Feronikeli në të shtatën me 16 pikë.

Arbëria me fitoren e sotme renditet në pozitën e gjashtë me 17 pikë.

Kurse, Gjilani në të tretën me 23 pikë. /VAR Kosova/