Përfaqësuesja e Kosovës U21 është mysafire e Turqisë U21 ndeshje kjo e vlefshme për kualifikimet në Kampionatin Evropian për grupmoshat nën 21 vjeç.

Shpresat mbrëmë (e Hënë) kanë zhvilluar stërvitjen e fundit para takimit ndaj Turqisë, e cila zhvillohet sot më fillim nga ora 17:00 në Samsun.

Futbollisti i përzgjedhur nga Rafet Prekazi, Muharrem Jashari në një intervistë për “Koha” ka theksuar se ndeshja kundër përfaqësueses turke do të jetë emocionuese.

“Është ndeshja e fundit për mua në përfaqësuesen U-21, sepse jam i vitit 1998 dhe më nuk kam të drejtë të luaj për këtë kategori. Është emocion i madh, sepse kam kaluar mjaft mirë te ekipi i Shpresave. I kam luajtur tetë ndeshje, derisa të nëntën do ta kem kundër Turqisë. Turqia në fillim nuk ka pasur rezultate të mira, por tani ka bërë një ekip shumë të fortë dhe do të jetë ndeshje e vështirë për ne. Shpresoj të kthehemi me rezultat pozitiv. Edhe barazimi do të ishte i arsyeshëm, sepse Turqia ka një ekip shumë të fortë”, ka thënë Jashari.

Takimi i parë në mes Kosovës dhe Turqisë i zhvilluar në qershor të këtij vitit në “Fadil Vokrri” ka përfunduar me rezultat 3:1 në të mirë të Kosovës.

Shpresat e Kosovës bëjnë pjesë në grupin e tretë dhe nga nëntë xhiro kanë fituar tre, teksa kanë humbur gjashtë ndeshje duke u renditur në vendin e parafundit.