Përfaqësuesja e Kosovës do të kthehet në Prishtinë kokëulur nga kryeqyteti slloven, Ljublana, përkundër një paraqitjes solide kundër Kombëtares së Sllovenisë. Ndeshja përfundoi me fitore të Sllovenisë 2:1

Kosova këtë ndeshje ishte pa përzgjedhësin, Bernard Challandes i cili për shkak të infektimit me virusin korona mungoi, megjithatë futbollistët e tij nuk e zhgënjyen sonte duke bërë një paraqitje solide në krahasim me ndeshjet e fundit.

Në pjesën e parë, Sllovenia ishte më e mirë duke dominuar në posedim të topit dhe rrezikuar në dy raste portën e Aro Muricit.

Sllovenia mund të shënonte pas daljes së gabuar të Muricit, por Kosvën e shpëtoi kapiteni Amir Rrahmani i cili nuk lejoi topin të kalonte vijën fatale.

Për Kosovën, Zhegrova rrezikoi por pa sukses.

Pjesa e parë përfundoi baras pa gola.

Në pjesën e dytë, “Dardanët” bënë një paraqitje edhe më të mirë duke e kërkuar golin më shumë se sa sllovenët.

Në minutën e 58-të Kosova kaloi në epërsi pas golit të Vedat Muriqit, i cili u asistua nga Bernard Berisha.

Megjithatë, epërsia e Kosovës zgjati vetëm pesë minuta pasi vendësit barazuan rezultatin.

Kurtic barazoi rezultatin, pasi fitoi duelin me Rrahmanin duke iu shmangur për mrekulli mbulimit të tij.

Krejt në fund të ndeshjes, Sllovenia fitoi një penallti të cilën e konvertoi në gol kapiteni slloven, Josip Ilicic në minutën e 94-të për fitoren e skuadrës së tij.

Me këtë humbje Kosova mbetet në pozitën e tretë me dy pikë të grumbulluara në grupin 3 të Ligës C.

Ndërsa, Sllovenia lidere e grupit me 13pikë.