Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara, Vlora Çitaku, i ka ofruar përkrahje sulmuesit të ekipit kombëtar të Kosovës, Vedat Muriqit, pas kritikave të shumta që i mori ai pse bisedoi në gjuhën serbe me bashkëlojtarin e vet serb te Lazio, Sergej Milinkovic-Savic.

Sulmuesi i Lazios Muriqi u përball me kritika të ashpra, përfshirë fyerje dhe sharje, pasi iu përgjigj në gjuhën serbe komentit të mesfushorit të Serbisë, Milinovic-Savic, në një postim në Instagram pas fitores së Lazios 2:0 kundër Napolit në Serie A.

“Jam shumë i lumtur që jam rikthyer dhe që kam kontribuuar në skuadër. Tri pikë shumë të rëndësishme. Forca shqiponja!” kishte shkruar Muriqi në Instagram të dielën pas ndeshjes.

Milinkovic-Savic i komentoi: “Ajde srce” që në shqip do të thotë “Forca zemër”

E Muriqi ia ktheu me “Ajmoooo” apo në shqip “Forcaaaa”.

Për dallim nga të tjerët, Çitaku – e cila njihet për debatet e nxehta me përfaqësuesin serb në Kombet e Bashkuara për çështjen e Kosovës – mendon se fakti që sulmuesi prizrenas vendosi të komunikojë në serbisht e bën atë edhe më të madh.

“Vedati, në fushën e sportit ka ba për Kosovën shumë ma shumë se shumë prej nesh në fushat tona. Fakti se Vedati ka zgjedhë me bashkëbisedu me një lojtar në gjuhën amtare, Vedatin e bënë ma të madh!” shkroi Çitaku në Twitter.

Muriqi luajti 25 minuta në fitoren e madhe të Lazios në fundjavë, në atë që ishte paraqitja e tij e parë pas më shumë se një muaji.

Muriqi mungoi gjashtë ndeshje, katra në Serie A dhe dy në Ligën e Kampionëve për shkak të tërheqjes muskulore që e kishte pësuar kah mesi i nëntorit.

Ai i ka bërë nëntë paraqitje për Lazion deri tani këtë sezon, por është ende në kërkim të golit të parë që prej se iu bashkua asaj nga Fenerbahce në verë.