Njëra nga ndeshjet më interesante të 1/16 së finales në Ligën e Evropës padyshim që është ajo mes Benficës dhe Arsenalit.

Por ndeshja e parë e zhvilluar në Olimpico të Italisë mes dy skuadrave ka përfunduar pa fitues 1-1.

Pjesa e parë ishte shumë e varfër si për raste ashtu edhe për gola.

Rastin më të mirë në këtë 45 minutësh të parë e pati Pierre Emerick Aubameyang, por që nuk arriti ta dërgonte topin në rrjetë.

Kësisojë 45 minutat e para të kësaj sfide në Olimpico përfunduan ashtu siç filluan me rezultat të pastër 0-0.

Fillimi i pjesës së dytë ishte i zjarrtë ku brenda 12 minutave u shënuan dy gola.

Vendasit fituan penallti, derisa atë në gol e shndërroi mesfushori portugez Pizzi.

Por gëzimi i vendasve nuk zgjati më shumë se dy minuta, pasi mysafirët nga Londra barazuan gjithçka.

Cederic Soares asistoi për mrekulli tek Bukayo Saka i cili nga afërsia e dërgoi topin në rrjetë për të barazuar shifrat në 1-1.

Gola më nuk pati deri në fund të ndeshjes, edhe pse dy skuadrat krijuan disa raste të mira shënimi.

Gjithsesi me barazimin e sontëm, dy skuadrat mbesin në garë dhe synojnë kualifikimin pas një jave në Londër.