Kosova të martën mbrëma luajti 1:1 në stadiumin “Fadil Vokrri” kundër Andorras për ta arkëtuar pikën e dytën në këto kualifikime pas dy ndeshjeve të zhvilluara.
Ky rezultat u cilësua si zhgënjyes pasi pritej një fitore, për faktin se Andorra është një nga kombëtaret më modeste të Evropës.
Pas këtiji barazimi, Kosova do të synojë të arkëtoj pikët e plota në dy ndeshjet e ardhshme të cilat do të luhen në muajin qershor.
Fillimisht me 16 qershor, “Dardanët” luajnë në shtëpi kundër Rumanisë ndërkohë tri ditë më vonë, do të luajnë në udhëtim kundër Bjellorusisë.

Sipas vendimit të UEFA-s, Bjellorusia do të zhvillojë ndeshjet vendase në një terren neutral. Ndeshjen e fundit si vendas Bjellorusia e zhvilloi në Novi Sad të Serbisë, por kjo gjë nuk pritet të përsëritet kundër Kosovës.
Kjo pasi Kosova bën pjesë në “Gjashtë ndeshjet e ndaluara” nga UEFA, ku për shkak të rrethanave politike, këto shtete nuk mund të luajnë me njëra tjetrën: Ukraina – Rusia (nga viti 2014), Kosova kundër Serbisë (nga 2016), BiH (nga 2016) dhe Rusisë (nga 2019), Armenia – Azerbejxhani (nga 2010) dhe Spanja – Gjibraltari (nga 2013).
Ndonëse ky vendim nuk ndalon që Kombëtarja e Kosovës të luajë në Serbi ndaj një vendi të tretë, siç është në këtë rast Bjellorusia, një gjë e tillë nuk pritet të ndodhë për shkak të sigurisë.



























