Vedat Muriqi është shprehur optimist për ndeshjen e sotme që Kombëtarja e Kosovës e luan kundër Andorras në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Futbollisti i Mallorcas ka insistuar se Kosovës nuk i përshtatet asnjë rezultat tjetër përveç fitores kundër Andorrës. Muriqi ka shtuar se dëshira e tij është të shënojë gol në këtë ndeshje, por ka pranuar se me rëndësi kanë tri pikët dhe paraqitjen e mirë të ekipit në fushë. Madje ka thënë se për t’i dhënë vlerë pikës së fituar në Tel-Aviv, fitorja në Prishtinë me Andorrën është obliguese.

“Ishte rezultat pozitiv në Tel-Aviv, pasi kemi mundur edhe të humbim. Por për ta bërë më të vlefshme këtë pikë duhet të fitojmë patjetër ndaj Andorrës dhe të tubojmë katër pikë në dy ndeshjet e para kualifikuese, që është një rezultat i mirë”, është shprehur Muriqi. “Është shumë e rëndësishme ta fitojmë këtë ndeshje dhe mendoj se jemi gati, pasi jemi përgatitur dhe luajmë, po ashtu, para tifozëve tanë. Pa e nënçmuar kundërshtarin, por çdo rezultat tjetër veç fitores do të ishte i papranueshëm për ne. Fitorja është obliguese, sepse nëse duam të kualifikohemi në Evropian duhet të marrim sa më shumë pikë”.

Muriqi ka thënë se mundohet ta ndihmojë ekipin në mënyra të ndryshme në fushë dhe për këtë arsye përpiqet të angazhohet maksimalisht dhe ta bëjë detyrën e tij, jo vetëm në sulm, por edhe në mbrojtje.

“Unë mundohem të shënoj gola dhe ta ndihmoj ekipin në mënyra të ndryshme. Është shumë e rëndësishme të jem aty ku ekipi ka nevojë për mua”, ka thënë Muriqi.

Ndeshja kundër Andorrës është e fundit për këtë muaj në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2024”. Krahas Izraelit e Andorrës, Kosova do të përballet edhe me Zvicrën, Rumaninë e Bjellorusinë.

Ndeshjet e radhës kualifikuese Kosova do t’i luajë në muajin qershor.