Drita e ka fituar Superkupën e Kosovës. Skuadra gjilanase e mposhti Prishtinën me përmbysje të rezultatit 2:1.

Ndeshja u zhvillua në “Mardan Sports Complex” në Antalya të Turqisë.

Për Dritën është trofeu i dytë në histori i Supekupës. Për herë të parë këtë trofe, Drita, e kishte fituar gjatë edicionit 2018/2019.

Ndërsa Prishtina mbetet me 11 trofe të fituar të Superkupës. Prishtina është klubi me më së shumti trofe të fituar të Superkupës.

Prishtina kaloi në epërsi në minutën e tetë me golin që e realizoi Leotrim Kryeziu.

Besnik Krasniqi i barazoi shifrat në 1:1 në të mirë të Dritës në minutën e 39-të.

Prishtina e mbylli pjesën e parë me një futbollist më pak në fushë pasi në minutën e 45-të, mesfushori Harun Kariq u ndëshkua direkt me karton të kuq pasi pengoi një kundërsulm të shpejt të Dritës.

Golin e fitores 2:1 për skuadrën që drejtohet nga trajneri Zekirija Ramadani e shënoi Kristal Abazaj në minutën e 50-të.

Drita është kampione në fuqi e Superligës së Kosovës. Ndërsa Prishtina është fituese në fuqi e Kupës.

Prishtina sezonin vjeshtor këtë edicion në Superligë e mbylli në vendin e dytë me 30 pikë. Lider është Ballkani me tri pikë më shumë.

Drita ka 29 pikë dhe renditet në pozitën e katërt.