KF Prishtina është shumë afër marrëveshjes me Enis Gavazaj. Palët janë në bisedime tash e disa ditë duke negociuar detajet e fundit të marrëveshjes, raporton ekskluzivisht Insporti.

Sipas një burimi brenda klubit, takimi radhës ndërmjet palëve do të zhvillohet sot. Në fillim të negociatave, kërkesat e Gavazaj ishin astronomike duke kërkuar pagë prej dhjetë mijë euro në muaj, shifër kjo e cila është refuzuar nga drejtuesit e Prishtinës.

Paga e tij në Kukës ishte shtatë mijë euro, për të cilën janë të njohur edhe drejtuesit prishtinas.

Besohet se një marrëveshje mund të arrihet në takimin që do të zhvillohet në orët e pasdites.

Drejtuesit e Prishtinës do t’i ofrojnë pagë rreth gjashtë mijë euro.

Mesfushori sulmues ditë më parë u largua nga Kukësi. Për ish kampionin e Shqipërisë ai ka zhvilluar 39 ndeshje duke shënuar dy gola dhe dhuruar tetë asistime.

Gavazaj, 25 vjeçar, në të kaluarën ka luajtur edhe për KF Skënderbeun, klub me të cilin zhvilloi pesë paraqitje në Ligën e Evropës, duke shënuar një gol.

Futbollisti prizrenas edhe në të kaluarën ka qenë pjesë e Prishtinës. Në vitin 2011 ishte transferuar nga KF Liria, klub me të cilin ka filluar karrierë.

Pas dy sezoneve të mirë me klubin më të madh të Kosovës, kishte siguruar transferimin në gjigantin belg KAA Gent.

Karrierë ka bërë edhe Bjellorusi dhe Rusi.

Prishtina ka qenë mjaftë aktive në afatin kalimtar, duke transferuar Sabien Lilaj, Gent Muça, Leotrim Kryeziu, Albin Prapashtica dhe Gledi Mici. Mbetet të shihet a do t’iu bashkohet edhe Gavazaj.