Ambasadori italian në Kosovë, Nicola Orlando, ka mbështetur Përfaqësuesen e Kosovës para ndeshjes tejet të rëndësishme me Maqedoninë e Veriut.
Orlando nëpërmjet rrjetit social Twitter ka shkruar se përkundër mungesave të rëndësishme, Kosova mund t’ia dalë edhe sonte.
“Kësaj radhe fatkeqësisht pa Amir Rrahmanin, Samir Ujkanin dhe Vedat Muriqin… por ende… Forca #Kosova!!”, ka shkruar ai në ‘Twitter’.
Për shkak dëmtimesh por edhe situatës me COVID-19, Kosova do të jetë pa portierin Samir Ujkani, kapitenin Amir Rrahmani, mesfushorët Hekuran Kryeziu, Idriz Voca dhe Besar Halimi, si dhe sulmuesit kryesorë Vedat Muriqi dhe Milot Rashica.
Fituesi i këtij takimi përballet me fituesin e takimit Bjellorusi – Gjeorgji në finalen e nëntorit për një vend në fazën grupore në Euro vitin e ardhshëm.
Kosova dhe Maqedonia e Veriut, të dyja në kërkim të pjesëmarrjes së parë historike në një kampionat evropian, e siguruan këtë mundësi të artë për kualifikim pasi i fituan grupet e veta përkatëse në Ligën D në edicionin e kaluar të Ligës së Kombeve.