Te Bayerni nuk e kanë pritur aspak mirë eliminimin nga Kupa e Gjermanisë nga skuadra e Bundesliga 2, Holstein Kiel.
Pas ndeshjes për mediet foli sulmuesi i kampionëve të Europës, Thomas Muller.
Gjermani ishte shumë i zhgënjyer për rezultatin e ndeshjes dhe këtë e reflektoi qartë edhe në intervistë, ku për një moment debatoi edhe me gazetaren, intervistë që bëri xhiron e mediave ndërkombëtare.
“Ju më pyesni se çfarë mendoj tani, por nëse ju qeshni, si mund të përgjigjem?”, iu drejtua Muller gazetares.
Më pas, duke u munduar të shuajë “zjarrin”, gazetarja iu përgjigj se nuk po qeshte.
“Unë nuk po qesh. E kuptoj momentin tuaj, por nuk po qesh”, tha ajo.
Por Muller këmbënguli. “Sigurisht që po qesh. Po, po, e bëre”, u shpreh Muller, që pas pak çastesh e mbylli intervistën dhe iu drejtua dhomave të zhveshjes.