Mbrojtësi anësor i Përfaqësueses së Kosovës, Mërgim Vojvoda ka zhvilluar një intervistë mbrëmë për emisionin “Dueli Sportiv”.
Futbollisti i Torinos ka folur për jetën e tij në qytetin italian, rikuperimin nga lëndimi dhe gjithashtu ka folur edhe për Përfaqësuesen e Kosovës për ndeshjen me Spanjën, mirëpo i është rikthyer takimit kundër Maqedonisë së Veriut në PlayOff-in e Ligës së Kombeve.
Vojvoda ka thënë se ajo ishte ndeshja më e rëndësishme për të. Ndonëse “Dardanët” pësuan humbje, ai ka potencuar se atë ëndërr shpresojnë ta rikthejnë sa më shpejt.
“Më e rëndësishmja ka qenë ajo që është dashur të jetë për të gjithë, gjysmëfinalja kundër Maqedonisë së Veriut. Sigurisht nuk kemi mundur me ia dalë, por ajo ka qenë ndeshja më e rëndësishme deri më tani për mua. Ka qenë një ëndërr për të gjithë dhe shpresojmë ta rikthejmë përsëri atë ëndërr sa ma shpejt”, ka thënë mbrojtësi kosovar.
Vojvoda është duke u rikuperuar nga një lëndim dhe pritet të rikthehet shpejt për skuadrën e Torinos.