Suedia ka mposhtur Përfaqësueses e Kosovës në stadiumin “Fadil Vokrrin” me rezultatin 0:3, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror “Katar 2022”.

Pas ndeshjes mbrojtësi Fidan Aliti,  për mikrofonin e SuperSport Kosova deklaroi  se Suedia ishte shumë e fortë taktikisht dhe se e kanë ditur se do të jetë shumë e vështirë.

“Besoj se ka qenë një ndeshje kolektive e vështirë, Suedia ka luajtur taktikisht shumë mirë, e kemi ditur se ata kanë skuadër të mirë. Të kishim shfrytëzuar rastet si në pjesën e parë, por në pjesën e dytë nuk kishim raste, duhet me i shfrytëzuar ato që i krijon. Sot kemi humbur shumë topa të dytë. Na nuk jemi një kombëtare që luajmë me prit me lujt në zonën tonë, ne luajmë gjithë ofenzivë”, deklaroi Aliti, transmeton Insporti.com.

Golat për Suedinë i shënuan Ludëig Augustinsson, Alexander Isak dhe Sebastin Larsson.

Me këtë humbje Kosova e nis këtë cikël dhe renditet në pozitën e fundit të grupit B.

Në vendin e parë renditet Suedia me gjashtë pikë, ndërsa në të dytën Spanja me katër pikë.

Kosova më 31 mars do të zhvillojë ndeshjen e ardhshme kundër Spanjës në Sevilla.