Superliga e Kosovës sot ka prodhuar emocione të shumta nga pesë ndeshjet që janë zhvilluar, shkruan Insporti.com.

Ndeshja kryesore u zhvillua në Gjilan, ndërmjet Dritës dhe Ballkanit, që përfundoi me rezultatin baras 1:1. Golin për skuadrën kampione e shënoi, Xhevdet Shabani ndërsa për mysafirët Mirlind Daku.

Me këtë barazim skuadra e Ballkanit edhe matematikisht është jashtë gare për titull të kampionit, dy xhiro pa përfunduar kampionati.

Drita me këtë Barazim renditet në pozitën e dytë me 70 pikë, ndërsa Ballkani në pozitën e tretë me 68 pikë.

Ndeshja tjetër tejet e rëndësishme në Superligën e Kosovës, u zhvillua në stadiumin “Fadil Vokrri” ndërmjet Prishtinës dhe Feronikelit.

Derbin e fitoi skuadra e Prishtinës me rezultatin 2:1, që tani renditet në pozitën e parë me 75 pikë, ndërsa Feronikeli në pozitën e tetë me 38 pikë, pozitë kjo që e dërgon në barazh ish kampionin e Kosovës.

Tutje, Trepça ’89 ka shënuar fitore jashtëzakonisht të vlefshme ndaj Gjilanit, 2:1.

Dy golat e super-sulmuesit Arbnor Muja (’56,’68) ia dhuruan fitoren “Minatorëve”, teksa Shend Kelmendi shënoi golin e nderit për mysafirët në minutën e 22-të.

Në ndeshjen “derbi” për mbijetesë, Arbëria barazoi me Drenicën 1:1, ku për lipjanasit shënoi Marclei (’23), ndërsa për drenicasit realizoi Uka (’58).

Dhe për fund, Llapi e mposhti Besën me rezultat minimal, 1:0 me golin e Elvis Prençit në minutën e 59-të të ndeshjes.