Pas humbjes 0-4 nga Anglia, futbollistët e Kosovës janë shprehur optmistë për kualifikim në Euro 2020 përmes ndeshjeve të Ligës së Kombeve.
Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani pas ndeshjes tha se Kosova ka luajtur më mirë se Anglia, por shokët e tij në sulm, nuk arritën të shënojnë.
“Mendoj që na munguar realizimi, pasimi i fundit dhe golat. Shumë më mirë se Anglia kemi luajtur, por nuk arritëm të realizojmë. Kjo është ndër paraqitjet më të mira që kemi bërë, ky nuk është rezultat i drejtë për këtë ndeshje”, tha Rrahmani,
Edhe Milot Rashica ka vlerësuar se rezultati nuk ishte real.
“Rezultati nuk është shumë real sepse edhe ne patëm raste dhe kur ne nuk realizuam, ata shënuan shumë lehtë. Mbrojta e Anglisë ka kualitet shumë të lartë, por ishte edhe faji i jonë që nuk shënuam”, tha Rashica.
Ndërsa Mërgim Vojvoda, tha se ndeshja me Anglinë ishte shumë e vështirë dhe se tani shpresat janë në ndeshjet e muajit mars.
“E kemi ditur që Anglia është skuadër tepër e fortë. Jemi gëzuar që kemi një kombëtare të fort në grup për ta provuar veten. Kemi dëshmuar që dimë të luajmë edhe kundër skuadrave të mëdha. Dua të falënderoj tifozët “Dardanët”, që kanë përkrahur këtu në “Fadil Vokrri” dhe kudo tjetër. Shpresoj që do të na përkrahin edhe kundër Maqedonisë”, tha Vojvoda.
Hadergjonaj foli për humbjen e parë të Kombëtares së Kosovës në stadiumin “Fadil Vokrri”.
“Humbja e parë në “Fadil Vokrri”, është ditur se do të vijë. Nuk e merituam këtë rezultat se luajtëm mirë, por ky është kualiteti i Anglisë, nuk falin raste. Ka qenë një mësim i mirë, por rezultati po na dëshpëron. Tani, me përvojën që kemi marr, sidomos në këto dy ndeshjet e fundit, duhet të mendojmë për ndeshjen kundër Maqedonisë”, tha Hadergjonaj.