Xhiroja e tretë e Albi Mall Superligës së Kosovës vazhdon sot me dy përballje interesante: Gjilani – Dukagjini dhe Feronikeli 74 – Malisheva.
Vëmendja kryesore do të jetë në Gjilan, ku skuadra e Debatik Currit synon ta vazhdojë fillimin perfekt të sezonit.
Gjilani i ka fituar të dyja ndeshjet e para, fillimisht 3:1 në udhëtim ndaj Feronikelit dhe më pas 2:0 ndaj Llapit. Në fitoren e fundit protagonist ishte Oltion Bilalli, i cili realizoi të dy golat.
Me gjashtë pikë nga dy ndeshje, Gjilani do të kërkojë fitoren e tretë radhazi, por përballë do të ketë Dukagjinin që gjithashtu e ka nisur mirë kampionatin.
Skuadra nga Klina ka grumbulluar katër pikë, pas barazimit 0:0 me Drenicën dhe fitores 1:0 ndaj Feronikelit.
Në ndeshjen tjetër të ditës, Feronikeli 74 e pret Malishevën.
Skuadra nga Drenasi është ende pa pikë pas dy xhirove të para, duke humbur 3:1 ndaj Gjilanit dhe 1:0 ndaj Dukagjinit.
Në anën tjetër, Malisheva e ka nisur sezonin me katër pikë. Ajo e mposhti Vushtrrinë bindshëm 6:1 në xhiron e parë, ndërsa më pas barazoi 1:1 me Drenicën.
Kështu, Gjilani do të kërkojë ta ruajë bilancin perfekt dhe të vazhdojë qëndrimin në pjesën e sipërme të tabelës, ndërsa Feronikeli synon pikët e para të edicionit.
Ndeshjet e sotme:
Gjilani – Dukagjini Feronikeli 74 – Malisheva









