Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes, ka mbajtur konferencë për media, para ndeshjes me Anglinë, që do të zhvillohet nesër (e diel) në ora 18:00.
Zvicerani para gazetarëve ka ripërsëritur se do të jetë një ndeshje e vështirë, edhe pse Kosova i ka humbur gjasat për kualifikim në Euro 2020, pas humbjes nga Cekia të enjten.
Duke falenderuar Dardanët, për përkrahjen e vazhdueshme, Challandes ka shtuar se Kosovës i duhet një stadium si Wembley i Londrës.
“Është e qartë se ne e kemi bërë një kampanjë mirë. Tifozët duan të vijnë të na shohin dhe të na mbështesin. Gjithashtu, luajmë ndaj një ekipi të madh. Pra, kemi bërë lojëra të mira dhe njerëzit janë krenarë me ne. Dhe, nëse luajmë ndaj Anglisë, me lojtarë të mëdhenj, është po ashtu një eveniment i madh. Shpresoj që këta njerëz ta shijojnë lojën. Thonë se ekipi me tifozë i ka 12 lojtarë, por neve na duhen ndoshta 14 apo 15 lojtarë, por kjo nuk është e mundshme. Do të jetë një lojë mjaft e vështirë për ne. Vetëm një pishman e kam që nuk e kemi një Wembley në Kosovë”, ka thënë Challandes.