Ngjarjet e fundit në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) kanë sjellë edhe frikën se UEFA dhe FIFA mund të marrin masa ndëshkuese ndaj FFK-së.
Përderisa arsyet e suspendimit mund të jenë të ndryshme si psh: huliganizmi, racizmi, shkeljet e ndryshme të statutit të FIFA, etj., kjo përmbledhje përfshin vetëm rastet e ndërhyrjeve politike.
Në fakt, VAR Kosova ka gjetur një mori rastesh kur FIFA ka suspenduar vende të ndryshme për shkak të ndërhyrjeve politike. Më poshtë është një listë e përmbledhur nga VAR Kosova kur FIFA ka suspenduar Federata Futbolli nga vende të ndryshme për shkak të ndërhyrjeve politike.
Greqia 2006 – Për një periudhë të shkurtër FIFA kishte suspenduar federatën greke të futbollist sepse ligji për sportin në Greqi i kishte dhënë shumë kompetenca qeverisë greke në aspekt të udhëheqjes së futbollit, në mes tjerash edhe zgjedhjen e zyrtarëve të federatës. Suspendimi ishte larguar shpejt pasi që Kuvendi grek kishte amendamentuar ligjin në fjalë.
Iraku 2009 – FIFA kishte suspenduar Irakun për shkak se Komiteti Olimpik i këtij vendi kishte shpërbërë federatën e futbollit këtu dhe forcat e sigurisë kishin marrë kontrollin e selisë së federatës.
Bosnja dhe Hercegovina 2011 – Federata boshnjake e futbollit ishte suspenduar shkurtazi nga FIFA pasi që presidenca e kësaj federate ishte në kundërshtim me statutin e FIFA-s. Presidentët e federatës nuk zgjidheshin në mënyrë profesionale por bazuar në etninë e tyre me një sistem rotacioni çdo 18 muaj.
Nigeria 2014 – Nigeria është një ndër vendet që është ballafaquar shumë me FIFA-n. Rasti më i ndjeshëm ka qenë ai i vitit 2014 kur federata e futbollit të këtij vendi ishte suspenduar pasi që gjykata këtu kishte urdhëruar ministrin e sportit që të emëroj një shërbyes civil për të udhëhequr federatën.
Sierra Leone 2017 – Federata e Futbollit të këtij vendi ishte pezulluar për shkak të ndërhyrjeve politike në largimin e presidentit dhe të sekretarit të federatës.
Vendet tjera që janë përballur me suspendime nga FIFA janë: Brunei, Etiopia, Pakistani, Kuvajti, Peruja, etj..