Federata e Futbollit të Kosovës, ditë më parë ka përfituar 462 mijë euro nga një fond i ndarë nga FIFA. Por përkrahja e UEFA-s është dukshëm më e madhe.
Në një takim të mbajtur të mërkurën e kësaj jave, përfaqësueses të 12 klubeve të Superligës kërkuan që këto mjete të ndahen për klubet dhe jo të shkojnë në investime tjera për shkak të krizës.
Ish-futbollisti i mirënjohur kosovar, Ardian Kozniku i cili jeton dhe vepron në Kroaci, vlerëson se është koha që Federata e Futbollit e Kosovës t’u dal në ndihmë klubeve.
“Federatën e Futbollit të Kosovës prej viteve të 90-ta e deri kur është pranuar në UEFA dhe FIFA, e kanë mbajtur gjallë klubet dhe biznesmenë të ndryshëm. Në këtë rast nuk e di se si janë dokorduar FFK me klubet, por si një sportist mendoj se nëse FFK merr ndihmë nga UEFA, do të ishte mirë që t’i ndihmonte klubet me aq sa kanë mundësi sepse nëse vjen deri te fundosja e klubeve, atëherë kjo do të shkonte në dëm të FFK-së dhe futbollit”, ka deklaruar Ardian Kozniku në një prononcim për Zëri.info.
Tutje, Kozniku vlerëson se politikën e FFK-së askush nuk është duke e kuptuar.
“Politikën e FFK-së nuk po e kupton askush, janë duke bërë çka po duan vet. Unë kam shumë për të thënë, por nuk dua që të përzihem pasi që nuk më takon. Ata e kanë për vete, sa ju shkon nuk e di. Unë punoj në Federatën e Kroacisë dhe në Lokomotivën e Zagrebit, dhe nuk dua që të hyjë në detaje. Do të vijë dita kur të gjitha gjërat do t’ua them në sy direkt njerëzve në FFK. Ka njerëz aty që nuk kanë respekt për shumë gjëra, prej kohës kur janë pranuar në UEFA dhe FIFA. Me herët kanë telefonuar për të kërkuar kontakte me shumë e shumë persona që vetëm në TV kanë mundur që t’i shohin. Me t’u pranuar në UEFA e FIFA, i mbyllen dyert për shumë veta. Kjo nuk vlen për të ndjerin Fadil Vokrri të cilin e kanë njohur të gjithë që nga koha e ish-Jugosllavisë. Këta që po thonë sot këtë dhe atë e kam mik, vetëm tash i kanë njohur. Fjala është për E.S.”, përfundoi Ardian Kozniku.
Kozniku është futbollisti i parë shqiptar, i cili ka marrë pjesë në një kampionat botëror. Ish-sulmuesi i mirënjohur me famë ndërkombëtare e fitoi medaljen e bronztë me Kroacinë në Botërorin e organizuar në Francë në vitin 1998. Gjakovari Kozniku e ka nisur karrierën te Vëllaznimi i Gjakovës në vitin 1979.
52-vjeçari tashmë punon në grupmoshat e reja të Kombëtares kroate si dhe ekipin Lokomotiva e Zagrebit.