Nga: Eric Bailly
Në vitin 2010, u ngjita në aeroplan në Burkina Faso.
Ky ishte një nga momentet më të vështira të jetës sime.
Tri vite më herët, kur isha 13 vjeç, kisha ndërprerë shkollën për tu bërë futbollist. Ndërprerja e shkollës është një gjë e madhe në Bregun e Fildishtë. Nëse ndodhë të jetoni në një shtëpi të vogël druri në Abixhan, si familja ime, ju i kushtoni rëndësi të madhe arsimimit, sepse është e sigurt se është e vetmja mënyrë për të bërë një jetë të mirë, që do të thotë një shtrat të ngrohtë dhe ushqim në tavolinë. Kështu, kur vendosa ta lë shkollën, babai ishte kundër këtij vendimi.
Por, tashmë isha ftuar në një garë në Burkina Faso ku do të kishte skautë nga klubet evropiane. Ky ishte një rast që nuk duhej lëshuar.
Jeta ime varej nga ky udhëtim. Duhet t’ia dilja.
Por, kur u ngjita në aeroplan, çfarë më mbushi me frikë nuk kishte asgjë të bënte me futbollin.
Kur isha ftuar në garë, e pyeta babanë se si do të shkonim atje. Nuk mund ta imagjinoja përgjigjen e tij. “Me aeroplan?” Burkina Faso është afër me Bregun e Fildishtë, por disa njerëz të “zgjuar” kishin vendosur se ne do të duhej ta mbyllnim veten në një cilindër metalik dhe të fluturonim në qiell me shpresën se ne të gjithë do të zbrisnim të gjallë.
Kurrë nuk kisha qenë në një aeroplan.
Kur u ngjita në aeroplan, sinqerisht, u ndjeva se jeta ishte në rrezik. Isha shumë nervoz. Stafi më tha ta vendosja rripin e sigurisë. Por, si? Nuk kishte asnjë sustë! “Ngrite ulësen,”, me çka??
Të gjithë njerëzit përreth meje po përpiqeshin ti gjenin ulëset e tyre. Pastaj aeroplani filloi ti bënë ato zhurmat gërryese. Hëmm … a është kjo normale? Motorët po gjëmonin sikur po niseshim për në hapësirë. Shikova pranë dhe pashë një fëmijë i cili, kuptova se po shkonte gjithashtu në garë —edhe për të ishte hera e pare në aeroplan. Ai dukej edhe më i tmerruar se unë, dhe e dija pse, ai ishte ulur pranë dritares.
Aeroplani filloi të lëvizë në pistë. Ne ndaluam së shikuari njëri tjetrin dhe po përpiqeshim të ballafaqoheshim me frikën tonë. E mbërtheva ulësen time dhe vendosa ti ngulja sytë drejt. Po i thosha vetes vazhdimisht, nuk do të lëvizë, nuk do të lëvizë.
Ne u ndamë nga toka. Dhe sapo u ngjitëm, pa ndonjë arsye, frika u largua. U rehatova, shikova kah dritarja dhe pashë Abixhanin të zbehej në pamje. Jam munduar të vërej shtëpinë tonë, dhe rrugët ku normalisht do të shisja telefona dhe cigare. Por, gjithçka që pashë ishte aeroporti, ku sapo i kisha thënë lamtumirë babait tim.
Në këtë kohë, nuk mendoj se ai e kuptonte se sa larg djali i tij mund të shkonte me këtë punën e futbollit. Dhe të jem i sinqertë as unë nuk e dija.
Por, ky fluturim do të ndryshonte çdo gjë.
Pse po e them këtë? Po, siç e dini, kam qenë jashtë fushës i lënduar për një kohë. Nuk kam luajtur futboll që nga prilli kur kam pësuar lëndim të gjurit. Kam pasur dhembje. Kurrë nuk kam pasur një operacion të tillë, kam ecur me paterica. Është shqetësuese që ta kujtosh, nuk ka rëndësi se sa punon, trupi juaj mund të dështon në çfarëdo kohe.
Por kam qenë i përgatitur gjithmonë për këtë. Sepse ky lëndim, është pjesë e jetës e cila nuk është reale. Çfarë dua të them me këtë, është se jeta si një profesionist është një fluskë — ajo ka pak të përbashkët me jetën e njerëzve të rëndomtë. Sigurisht, të qenit i lënduar ka qenë e vështirë për mua si lojtar, por çdo gjë që më ka ndodhur mua si fëmijë në Afrikë, ishte më e vështirë. Pikërisht kjo më ka ndihmuar që të kthehem dhe të shikoj mbrapa dhe të kujtoj se si arrita këtu.
Dhe çka kur mendja më shkon prapa tek udhëtimi për Burkina Faso.
Ju të gjithë e njihni jetën time “fallso”.
Tani të ju tregoj sa i përket asaj reale.
Edhe tani e shoh si një farë mrekullie të vogël faktin që përfundova në atë aeroplan. Jo pse isha një nga lojtarët e pakët që ishin ftuar në garë, por sepse më ishte lejuar ta ndiqja karrierën e futbollit në rend të parë.
Kur isha nëntë vjeçar shkoja në shkollë dhe luaja futboll në rrugë si shumica e djemve. Unë i ndihmoja gjithashtu nënës, Appoline, me gjera të ndryshme rreth shtëpisë. Unë isha gjithmonë kështu. Atë pak fuqi që e kam pasur, jam përpjekur ta vë në shërbim të të tjerëve. Dy nga ne ishim duke jetuar me vëllain tim më të vjetër, Thierry, në një fshat të vogël të quajtur Bingerville. Babai im, Désiré, ishte me motrën time, Anna, në Abixhan, kryeqytet, në përpjekje për të gjetur një punë.
Kur babai gjet punë, ne të gjithë shkuam në Abixhan. Ne ishim të lumtur atje. Por, brenda vetes, në të vërtetë nuk dëshiroja të shkoja më në shkollë. Kurdo që luaja futboll me shokët mi, e ndjeja që mund të bëja më shumë. Të bëhem profesionist. Ndoshta të shkoj në Evropë.
Por, në Bregun e Fildishtë është e pazakontë që ndonjë baba ta lejon të birin që ta ndërpret shkollën për futboll. Dhe nëse do të kishte ndonjë njeri në tërë vendin i cili nuk do ta lejonte këtë, definitivisht unë mendova se do të ishte babai im. Ai tha se vet kishte luajtur futboll, por se gjatë kohës së tij e tëra ishte shkollë, apo gjyshërit do të të rrihnin.
Gjithashtu, babai im ka punuar si mësues i shkollës fillore.
Ai ka karakter, i disiplinuar, i rreptë, shkollë e moçme. Ai gjithmonë e dëshironte më të mirën për mua, dhe kur isha i ri ajo ishte përulje dhe punë e madhe etike. Kur u ktheva në shtëpi, ai gjithmonë “më shkonte nerva” duke më kërkuar të bëja diçka. Veçanërisht pastrim.
“Ej, Eric, ndihmoj nënës me pastrimin e korridorit.”
“Ej, Eric, a i pastrove orenditë?”
“Ej, Eric, pastroje TV.”
Çdo ditë që ai kthehej në shtëpi nga puna, ai shtrihej në divan në dhomën e ndejës dhe e lëshonte televizorin për ti shikuar lajmet. Ai e kishte divanin e tij, ku askush nuk lejohej të ulej! Baba tipik, e dini? Në Bregun e Fildishtë gjithmonë gjeni raste të tillë. Divani kishte hapësirë për dy njerëz, por ai ishte i tij dhe vetëm për të.
Nëse babai kthehej më vonë në shtëpi, kjo zakonisht ndodhte sepse ai kishte takuar ca shokë fqinjë. Ata do të bisedonin pasdite, kur puna të kishte përfunduar dhe dielli ishte afër perëndimit. Secili prej fqinjëve do kryente punët e tij. Vajzat luanin lojëra, djemtë do ishin duke goditur topin, gratë duke biseduar dhe burrat si babai im loznin lojën me drafte (dama).
Pastaj, kur isha 13 vjeçar, babai më befasoi. Ai tha, nëse dëshiron të luash futboll, vendos vet. Unë mendoj se ai nuk dëshironte ta thoshte këtë, por familja jonë sapo e kishte mirëpritur një tjetër djalë në këtë botë, Arthur, duke bërë 4 vëllezër dhe motra, dhe prindërit kanë menduar se mund të mos kishin para të mjaftueshme për ti mbajtur të gjithë. Kështu që, pasi shkolla kushton, babai më tha se nëse kisha menduar, të vazhdoja si futbollist, mund të provoja.
Isha aq mirënjohës. Duhet ta shfrytëzoj këtë avantazh. Nuk e mendoja bile ta bëja këtë në Evropë. Unë thjesht dëshiroja të bëhesha profesionist, ta bëja atë si punë.
Unë gjithashtu dëshiroja ta ndihmoja familjen time.
Unë fillova në një qendër trajnimi. Do të ushtroja nga ora 9 e mëngjesit, pastaj të merrja autobusin për në shtëpi, të ushqehesha dhe pushoja. Nganjëherë duhej të fshihesha nga nëna ime, sepse ajo brengosej se nëse dilja në mesditë do të ishte shumë nxehtë. Pastaj i bashkohesha shokëve në rrugë për të shitur. Ne ishim me fat sepse në atë kohë kishim ushqim në shtëpi, por nuk dëshiroja të bazohesha tërësisht tek prindërit, kështu që shisja telefona të përdorur dhe cigare në tregun e zi.
Pas një dite të gjatë kur kthehesha në shtëpi e gjeja babanë të shtrirë në divanin e tij.
“Hej, Eric, ndihmoj nënës për ta pastruar kuzhinën.”
Në atë kohë babai nuk i kushtonte shumë vëmendje karrierës sime. Ai do ta shikonte futbollin profesionist veç kur luante kombëtarja e Bregut të Fildishtë dhe Chelsea, ku luante Didier Drogba, por ai nuk do të vinte ti shikonte ndeshjet e mia.
Por pastaj një ditë, kur isha 14 vjeçar, isha duke marrë pjesë në një garë ku ekipi im kishte mbërritur në finale. Kishte shumë njerëz të cilët po shikonin rreth fushës së papastër. Unë luajta shumë mirë, dhe pastaj njerëzit erdhën për të më uruar. Një nga ata, një shok imi, tha, “Oh, edhe babai yt ka ardhur për të të parë.”
Unë i thashë, “Si po mendon, babai erdhi për të të parë?”
Ai tha, “Po, po, ai erdhi për të të parë si luan. Ai u largua sapo përfundoi loja.”
Atë natë, unë u ktheva në shtëpi dhe e gjeta babanë në divan.. “Ulu, ai rekomandoi, që do të thoshte në dysheme. “Të pashë duke luajtur futboll sot …. ”
Vetëm e shikova.
“Njerëzit thonë se ti luan mirë … ,” tha ai. “Por unë nuk e di vërtetë, eh … lojtarët tjerë ishin të tmerrshëm!”
Ai po më nevrikoste përsëri.
Ai kurrë nuk do të thoshte që unë kam luajtur mirë, e dini? Ndonëse, e dija që unë kisha luajtur mirë. Por, pas asaj dite ai filloi të kishte më tepër vëmendje.
Dy vite më vonë, isha duke luajtur në një garë nga ku do të shkonin për të luajtur për Bregun e Fildishtë në Burkina Faso. Isha përzgjedhur … dhe, faleminderit Zotit, aeroplani ateroi sigurt. Sapo mbërritëm atje unë e pyeta dikë se cilën ditë duhej të kthehemi. Isha tashmë i shqetësuar për fluturimin e kthimit!
Por e dija që akoma kishte shumë rrugë për të bërë. Gara përfshinte vende që do të luanin kundër njëra tjetrës: Bregu i Fildishtë, Burkina, Mali, Nigeria, Kameruni. Na ishte treguar gjithashtu qe do të kishte skaut nga Villarreal, Torino, Espanyol, dhe një ekip francez gjithashtu.
E ndjeva që kisha luajtur mirë. Pas katër ditë ndeshjesh të gjithë u kthyem në shtëpi tek familjet tona, derisa organizuesit e kishin takimin final. Ata na treguan se do ti thërrisnin trajnerët tanë, nëse ndonjë klub do të tregonte interesim. Unë mora prapë aeroplanin për tu kthyer në Abixhan duke shpresuar se dikush do ta thërriste trajnerin tim në qendrën e trajnimeve.
Ca javë kaluan.
Nga tani, babai po i ndiqte të gjitha ndeshjet e mija. Të gjithë fqinjët kishin dëgjuar që unë kisha udhëtuar për në Burkina Faso, dhe unë mendoj se ai kishte filluar ta kuptonte se djali i tij do të mund të shkonte diku. Kur ai i kishte takuar shokët e tij për të luajtur drafte, ata kishin dëgjuar për garën gjithashtu. “Pra djali juaj po luan futboll, eh?” thanë ata. “Duhet të kujdesesh për të.”
Pas pak ditësh, unë me motrën time po ktheheshim në shtëpi nga diku. Nëna ishte në kuzhinë duke gatuar, më herët se zakonisht. Befas e pashë vëllain tim më të madh duke vrapuar në dhomën e ndejës. E çuditshme. Kur e pashë babanë të ulur në divan, unë prisja detyrën e zakonshme të pastrimit. Por, ai nuk tha asgjë. Ai vetëm po qeshte.
Unë shkova në dhomë për tu ndërruar. Kur u ktheva, babai i vendosi duart mbi jastëk pran tij. “Eja ulu këtu,” tha ai.
Do të thuash në divan?
Unë u ula. Pëlhura ndihej si e re, ndryshe nga jastëku në vendin e babait tim, i cili ishte përdorur për vite me lojërat e Chelseat dhe buletinet e lajmeve. Nëna doli nga kuzhina dhe u ul pranë nesh. Vëllai im më i vjetër ishte ulur në dysheme. Dukej si një mbledhje e familjes – por i vetmi person të cilin e kishin thirrur isha unë.
Isha i sigurte se kisha bërë një gabim të madh.
“Nuk ka asgjë për tu brengosur,” tha babai. Atij i pëlqenin bisedat, veçanërisht kur e ndjente se kishte autoritet dhe tani po fliste si një gjykatës që ishte i gatshëm ti binte çekanit.
“Ne e kishim këtu trajnerin tënd”, vazhdoi ai. “Ai sapo shkoi, por ishte këtu dhe hëngri me neve. Kishte disa lajme për të na dhënë.”
“Çfarë lajmesh … ?” thashë.
“Po, një klub e kishte thirrur….”
U bëra nervoz. “Çfarë klubi?!”
Nëna filloi të qeshë. “Qetësohu,” tha ajo.
“Unë jam i qetë!”
“Mirë … ” tha babai. “Klubi dëshiron që ti të shkosh për tre muaj provë.”
“Cili klub??”
“Espanyol.”
Kërceva nga divani dhe e rrëmbeva mamanë. E përqafova babanë. Lotët po më rridhnin në faqe. Unë thashë, “Nuk mund ta besoj këtë. Nuk mund ta besoj këtë.”
Ishte dita më e lumtur e jetës sime. Kisha tashmë një rrugë drejt futbollit profesionist. Në Spanjë! Atë natë ishte e pamundur të flija. Babai urdhëroi të gjithë që ta mbanim lajmin brenda familjes, sepse nëse fqinjët do ta zbulonin, secili do të vinte për të festuar, ndonëse më ishte ofruar vetëm një provë. Por, isha shumë i hutuar që ti kushtoja vëmendje kësaj. Thjeshtë po vazhdoja ti thosha vetes të njëjtën gjë. “Nuk mund të jetë… nuk mund të jetë …”
Dhe siç ndodhi, nuk u realizua.
Shumë shpejt, shpërtheu lufta në Bregun e Fildishtë.
Në atë vit ne kishte zgjedhje. Për të mos e zgjatur, dy politikanë nuk pajtoheshin se cili kishte fituar dhe kjo shkaktoi dhunë në të gjithë vendin. Një nga shumë gjërat që ndodhën ishte bllokimi i aeroportit në Abixhan, çka do të thoshte se unë nuk do të mund të fluturoja për në Spanjë për tu ushtruar me Espanyolin.
Kjo më shkatërroi. Ëndrra dukej se po shkatërrohej.
Çfarë do të bëja tani?
Nuk kisha ide nëse do të kisha edhe një rast tjetër me Espanyolin. Por, kisha shumë gjëra tjera për tu brengosur, kështu që nuk mund as të mendoja për këtë. Kriza e bëri të vështirë edhe furnizimin me ushqim. Me duhej të shkoja jashtë dhe të bartja ujë me kovë për shtëpi të cilën e vendosja në kokë. Prindërit e mijë, motra, vëllezërit, të gjithë vuajtëm. Dhe njerëz të tjerë vuajtën shumë më shumë se ne.
Lufta zgjati katër muaj. Kur në fund përfundoi, dëgjova se Espanyoli ishte akoma i interesuar për mua. Nuk më kishin harruar.
Dhjetë muaj pasi më kishin pikasur në Burkina Faso, Do të shkoja në Spanjë për një provë të re.
Isha aq mirënjohës. Shumica e njerëzve në Espanyol nuk më kishin parë kurrë duke luajtur personalisht, vetëm në disa video të incizuara në Burkina Faso. Ata do të mund të kishin thënë, “Po, djali nuk mund të vijë, le të shohim diku tjetër.” Ka shumë talent në Afrikë, apo jo?
Akoma, e dija se ishte vetëm provë. Ata nuk më kishin ofruar një kontratë. Nëse do të dështoja të merrja një, fluturimi për në Burkina Faso do të ishte i pavlerë.
Një ditë isha duke u nisur për Evropë, e tërë familja erdhi me mua në aeroport. Një ditë më parë nuk isha ndjerë mirë, pasi që kurrë nuk kisha qenë aq larg nga shtëpia. Ky nuk do të ishte një udhëtim i shkurtër në vendin fqinjë – do të ishin tre muaj, në Evropë, vetëm. Kjo është shumë për dikë i cili është mësuar të jetë gjithmonë me familjen e tij. Ne të gjithë po qanim në aeroport.
Në atë moment, tre muaj dukeshin si tri vite.
Nëna ime ishte më e shqetësuara. Ajo akoma më shikonte si një bebe, dhe kësaj radhe ajo brengosej se do të ngrija. Ju drejtova, “Nënë, ti kurrë nuk ke qenë në Evropë, dhe po flet për të ftohtin?”
Ajo tha, “Jo, jo, por sepse e kam parë në TV se është shumë ftohtë atje.”
Kështu, unë po bëhesha gati të nisem duke qëndruar në aeroportin e Abixhanit ne një xhaketë dimri, i mbuluar nga djersët si i marrë.
Fluturimi ishte i frikshëm. Ky nuk ishte një aeroplan afrikan. Ishte Air France, destinacioni Paris, klasë biznesi. Isha i humbur. “Ulu atje,” një burrë mu drejtua. Ulësja ime e kishte një TV përballë saj, por nuk e preka asnjë buton sepse isha i frikësuar se do prishja diçka në aeroplan. Vendosa vetëm të fle.
Kur zbrita në, më duhej të gjeja fluturimin tjetër për Barcelonë. Kisha vetëm një çantë krahu, sepse nuk doja të krijoja më tepër konfuzion dhe të shkoja në zonën e bagazheve. Udhëzimet e mia ishin të thjeshta: zbrit, gjeje fluturimin tjetër dhe dil!
Disi e gjeta portën e duhur. Kur mbërrita në Barcelonë, mora frymë thellë dhe e falënderova zotin që kisha mbërritur. Isha mirë tani, apo së paku kështu mendoja.
Por Barcelona ishte aq e ndryshme nga Abixhani. Kudo që shikoja kishte drita. Vetura. Zhurmë. Askush nuk përshëndetej në rrugë. Unë shfryva, Pfft, kjo qenka Evropa, eh? Dhe të ftohtit! Ishte dhjetor, i cili në Bregun e Fildishtë është ngrohtë … të ftohtit ishte i padurueshëm. Nëna kishte pasur të drejtë plotësisht.
E dija që duhej të adaptohesha shpejt. Fatmirësisht, vetëm pas një muaji, klubi më tha, “Në rregull, kemi parë çdo gjë. Ti na nevojitesh.”
Muajin e dytë nënshkrova një kontratë me Espanyol.
Ia kisha dalë. Tashmë isha futbollist profesionist.
Kur u ktheva në Bregun e Fildishtë të gjithë ishin të lumtur. E tërë familja ime ishte në festë. Babai ishte jashtëzakonisht i gëzuar. Ai bile edhe shkoi në kuzhinë për të gatuar pulë! Pastaj u ktheva në Spanjë për t’iu bashkuar ekipeve të të rinjve.
Kur mora pagesën e parë, bëra një transfer për familjen time.
Që atëherë gjithçka ka shkuar shumë shpejt. Unë iu bashkova Espanyolit në vitin 2011, dhe tri vite më vonë bëra debutimin e parë me ekipin e parë. Pastaj kalova 18 muaj në Villarreal, dhe befas isha duke luajtur për Manchester United. Në rreth pesë vite kisha kaluar nga shitës i cigareve në rrugët e Abixhanit në lojën me klubin më të madh në botë.
Realiteti im ishte kthyer mbarë. Tani njerëzit më shikojnë si një yll, një njeri i famshëm. Kam gati 2 milion ndjekës në Instagram. Jam i famshëm edhe në shtëpi.
Por asgjë nga kjo nuk është reale.
E tëra është fallso. Një jetë fallso.
Jeta e tillë është gati e pashmangshme kur je një futbollist i këtij niveli. Nuk po flas për Manchester Unitedin si një klub, por çdo gjë rreth tij. Njerëz të cilët të thonë se u pëlqen se si luan, por pastaj të kritikojnë prapa shpinës. Njerëz të cilët e ulin veten e tyre vetëm pse ju luani për United, të cilët të shohin si futbollist më tepër se si një person i vërtetë. Në të vërtetë kjo nuk më pëlqen. Unë luaj për United. Por, unë jam akoma Eric.
Kështu që ju lutem, më trajtoni si Eric.
Sigurisht se jam falënderues se kam një jetë të tillë. Kam sakrifikuar kaq shumë për të qenë këtu ku jam, dhe e di se sa shumë njerëz nuk kanë ushqim në tavolinë, veçanërisht në vendin tim. Jam krenar që kam qenë në gjendje ta sjelli familjen time në Evropë të më shohin duke luajtur.
Por është shumë e rëndësishme që unë të qëndroj normal, të qëndroj modest. Nëna gjithnjë ma ka mësuar këtë. Një ditë do të plakesh, apo trupi nuk do të dëgjon edhe më dhe do të duhet të pensionohesh. Pastaj çfarë do të bësh. Çfarë do lesh mbrapa?
Kjo është kur kthehesh në jetën reale, dhe kjo ka të bëjë me gjërat normale. Gjërat më të mira. Kjo është kur eci nëpër Manchester me gruan time, Vanessa, dhe me djalin e madh, Yoan.
Është ti ftosh Juan dhe Paul për darkë, sikur do të bëja me shokët në Abixhan.
Është kthimi në Bregun e Fildishtë për ti parë shokët dhe të afërmit, apo për ti parë fëmijët duke luajtur në rrugë, gratë duke biseduar dhe burrat duke luajtur drafte.
Dhe mbi të gjitha është familja.
Ata nuk të lënë të dështosh.
Ata kurrë nuk do ta bënin.