27 maji i vitit 1992 është një tjetër datë e rëndësishme për sportin tonë. Me këtë datë u themelua Komiteti Olimpik i Kosovës.
Përfaqësues të federatave sportive, kishin vendosur të mbajnë mbledhjen konstituive për themelimin e KOK-ut. Mbledhja ishte mbajtur në objektin e Rilindjes në Prishtinë, në të cilën vepronte gazeta e përditshme “Rilindja”.
28 vjet më parë, pjesëmarrësit në Kuvend, me vota të fshehta zgjodhën kryesinë prej nëntë anëtarësh, kurse me aklamacion detyra e kryetarit iu besua, Veton Surroit, veprimtar i shquar politik.
Bordi i parë Ekzekutiv i KOK-ut kishte këtë përbërje: Veton Surroi – president, Behlul Brestovci – nënkryetar, Muhamet Berisha – sekretar i përgjithshëm, Mentaz Allajbegu – anëtar (mundje), Esat Stavileci – anëtar (basketboll), Burim Hatipi – anëtar (gazetar), Aziz Salihu – anëtar (boks), Fahri Buçinca – anëtar (hendboll), Hysen Rakovica – anëtar (atletikë).
Anëtarë nderi u zgjodhën: Dr.Ibrahim Rugova, prof.dr. Pajazit Nushi, ing.Nazmi Mustafa dhe prof.Halim Hyseni, ndërsa Këshillin Mbikëqyrës e përbënin: Ismail Hyseni, Bedri Hamza dhe Adem Fejzullahu.
“Pas këtij akti solemn të themelimit të Komitetit Olimpik të Kosovës, u tha se sa e këndshme do të jetë dita kur sportistët kulminantë kosovarë, në vend të afirmimit të një krijese artificiale shtetërore që quhej Jugosllavi, në shfaqjet sportive ndërkombëtare dhe në Lojërat Olimpike do të luftojnë për afirmimin e vendit të vet – shtetit më të ri në Ballkan, Kosovës”, kishte shkruar gazetari i gazetës Rilindja, Musa Alaj.
22 vjet më pas, pas shumë përpjekjeve, saktësisht më 9 dhjetor 2014, KOK u bë anëtar me të drejta të plota i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.