Të qenit larg fushave të futbollit për gati dy muaj, e ka bërë të vështirë jetën e futbollistëve kudo në botë.

Njëjtë ka ndodhur edhe në Kosovë. Që nga përhapja e koronavirusit, futbollistët që luajnë në ligat e Kosovës, kanë pushuar aktivitetin fizik.

Për mungesën e futbollit ka folur mbrojtësi i Ballkanit, Arbër Prekazi.

“Të gjithë jemi dëshmitarë të kësaj kohe mjaft të vështirë me përmasa globale, e që përveç pandemisë si virus, neve si shoqëri na ka sjellë probleme të mëdha sociale e ekonomike, probleme që tani më nevojitet punë dhe ndihmë nga shteti në pakot emergjente financiare për lehtësimin e mirëqenies në familje dhe rimëkëmbjen e ekonomisë”, ka thënë Prekazi.

Ai ka folur edhe për agjërimin në këtë kohë të pandemisë.

“Gjithashtu në këtë muaj të shenjtë të Ramazanit, për ne sportistët besimtarë e agjërues ka qenë një ndër më të lehtit për ta agjëruar pasi, si asnjëherë më parë kemi agjëruar duke qenë në shtëpitë tona e jo si herëve tjera kur agjëronim gjatë fazave përgatitore e me ngarkesa fizike të mëdha. Kështu që krahas problemeve të mëdha që ka sjellë gjendja pandemike, ajo ka sjellë edhe disa anë pozitive në jetën tonë sociale”, ka thënë Prekazi.