Ish-sulmuesi i Anderlechtit e Partizanit të Beogradit, Miljan Mrdakoviq ka vrarë veten në fundjavë, në kryeqytetin serb në moshën 38 vjeçare, pasi kishte thënë “nuk duroj dot më”.

E dashura e tij Ivana Staniq raportohej se kishte dalë me vrap nga apartamenti pas incidentit për të thirrur shërbimet e emergjencës, të cilat e kishin gjetur të vdekur ish-futbollistin.

“Ai mund ta kishte varrë veten dhe një natë më parë. Ishte i dehur dhe kjo pati efekt të rëndë te ai. Unë ia mora dhe e largova çantën ku e kishte pistoletën, i thashë se ka një djalë i cili e do shumë, dhe njerëz të tjerë që e duan shumë”, ka thënë Staniq.

“Ne kishim bërë plane për të ardhmen po tani ai nuk është më. Nuk mund të kthehem më në apartament. Duhet të marr gjërat e mia atje por jo tani”, ka thënë Staniq për gazetarët.